Kurti: Komuniteti turk në Kosovë, pjesë përbërëse e mozaikut tonë shoqëror

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren në detyrë Emilija Rexhepi dhe ministrin në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, mbrëmjen e sotme mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e shënimit të festës së Ditës Kombëtare të Turqve të Kosovës.
“Komuniteti turk në Kosovë është pjesë përbërëse e mozaikut tonë shoqëror dhe përbën një thesar të gjallë të trashëgimisë sonë të përbashkët historike e kulturore”, u shpreh kryeministri.
Teksa shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të qytetarëve turq, dhënë për Republikën e Kosovës, kryeministri Kurti tha se përfaqësuesit politikë të komunitetit turk, me punë dhe angazhim, përgjegjësi dhe integritet, kontribuojnë çdo ditë në forcimin e institucioneve tona demokratike. “Roli i tyre është dëshmi e përkushtimit të komunitetit turk ndaj shtetësisë, zhvillimit dhe bashkëjetesës ndërmjet të gjitha komuniteteve në vendin tonë”, shtoi ai.
Si një aleate e fuqishme dhe mbështetëse e palëkundur e Republikës së Kosovës, kryeministri theksoi se Turqia qëndron pranë jo vetëm komunitetit turk në Kosovë, por edhe pranë të gjitha komuniteteve dhe vetë shtetit të Kosovës, duke kontribuar në miqësinë, zhvillimin dhe bashkëpunimin afatgjatë ndërmjet dy vendeve tona.
Në fjalën e tij ai përmendi figurat e shquara që kanë kontribuar në ruajtjen dhe pasurimin e identitetit turk në vendin tonë, duke filluar nga Sylejman Brina – intelektual dhe një nga themeluesit e Shoqatës Kulturo-Artistike “Doğru Yol”, te këngëtari Alush Nush, që përmes këngëve të tij në turqishten prizrenase i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë zë dhe emocion kujtesës kolektive të brezave, më pas përmendi veprimtarinë e turkologut të njohur me përmasa ndërkombëtare Prof. Dr. Nimetullah Hafëz. Ai gjithashtu veçoi edhe artistët, shkrimtarët e publicistët si Sevim Baki, Arif Bozaxhi, Zejnel Beksaç, Osman Bajmak, Ethem Bajmak, Hasan Merxhan, e shumë të tjerë që për breza të tërë kanë pasuruar jetën kulturore dhe kanë qenë përkrahës të bashkëjetesës dhe të bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve, turqve dhe komuniteteve të tjera së bashku në Kosovë.
“Trashëgimia që ka ndërtuar komuniteti turk ndër shekuj në Kosovë, bashkë me atë që ka ndërtuar komuniteti shqiptar në Turqi, përbëjnë një pasuri të përbashkët kulturore dhe një themel të fortë për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme në të dy vendet tona – ku marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë jo vetëm që do të ruhen, por do të thellohen edhe më tej në frymën e miqësisë e respektit si dhe zgjerohen edhe më tej përmes bashkëpunimit strategjik”, përfundoi kryeministri.
Teksa i uroi komunitetin turk për këtë festë të rëndësishme për ta, ai kujtoi se kjo ditë, 23 Prilli, është gjithashtu një datë me rëndësi të veçantë për Republikën e Turqisë – sepse është Dita e Themelimit të Kuvendit Kombëtar të Republikës së Turqisë në vitin 1920, që shënohet si Ditë e Sovranitetit Kombëtar dhe Ditë e Fëmijëve./Arbresh.info/