OVL e UÇK-së: Skandali që trondit drejtësinë, roja e burgut bëhet prokuror kundër UÇK-së!

Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së kanë shprehur shqetësim pas lajmeve që kanë qarkulluar sot se një ish-roje burgu, që kishte shërbyer në kohën kur Hashim Thaçi ishte i burgosur në Hagë, është rekrutuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe i është dhënë roli i prokurorit në procesin kundër krerëve të UÇK-së.
OVL e UÇK-së në një reagim për media theksojnë se Ky zhvillim skandaloz e vendos në pikëpyetje serioze gjithë integritetin e procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara.
Lexoni të plotë reagimin:
Skandali që trondit drejtësinë: Roja e burgut bëhet prokuror kundër UÇK-së!
Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, shprehin indinjatë dhe shqetësim të thellë lajmin tronditës të publikuar sot në media, sipas të cilit një ish-roje burgu, që kishte shërbyer në kohën kur z. Hashim Thaçi ishte i burgosur në Hagë, është rekrutuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe i është dhënë roli i prokurorit në procesin kundër krerëve të UÇK-së.
Ky zhvillim skandaloz e vendos në pikëpyetje serioze gjithë integritetin e procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara. Si është e mundur që një individ me histori direkte të kontaktit dhe mbikëqyrjes së të akuzuarve, të avancojë befas në pozitën e një prokurori?
A është ky drejtësi apo një farsë e ndërtuar mbi urrejtje të kamufluar dhe urdhra të errët politik?
Ky veprim e zhvesh përfundimisht këtë proces nga çdo petk i paanshmërisë. Ai konfirmon dyshimet tona se procesi nuk është as i drejtë dhe as ligjor, por një ndjekje politike e organizuar ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
U bëjmë thirrje opinionit publik, shoqërisë civile, institucioneve ndërkombëtare që të mos heshtin përballë këtij skandali që rrezikon jo vetëm të drejtat e individëve të akuzuar, por edhe vetë themelet e drejtësisë ndërkombëtare.
Ky nuk është më vetëm një gjykim, kjo është një padrejtësi e montuar, e cila po përpiqet të rishkruajë historinë tonë të lavdishme të çlirimit!. /Telegrafi/