“S’ka më dilema”, nesër pritet po-ja finale në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën

                     Nesër, Parlamenti Evropian pritet të votojë për heqjen e vizave për kosovarët, sipas draft agjendës së miratuar nga Konferenca e Presidentëve.Ky votim është i fundit në procesin për heqjen e vizave për kosovarët, dhe do të ndodh sipas procedurës së votimit urgjent propozuar nga eurodeputeti Thijs Reuten, shkruan gazeta online Reporteri.net.Këshilli i Ministrave i BE-së votoi më 9 mars pro liberalizimit të vizave për Kosovën, duke e konfirmuar se qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza nga 1 janari i vitit 2024. E tash, gjithçka është në duart e Parlamentit Evropian. Sipas njoftimit nga PE-ja, sapo të miratohet liberalizimi në seancë plenare të martën, të nesërmen akti formalisht bëhet ligj, e që nënshkruhet nga presidentja PE-së dhe përfaqësuesi i Suedisë që mban presidencën e BE-së deri më 30 qershor. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian tha se liberalizimi i vizave do të mund të jetësohej edhe nga 1 korriku, mirëpo shteti që aktualisht drejton PE-në, Spanja, nuk është marrë me këtë çështje. Spanja është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. “Mua më vjen keq për këtë. Ky është vendim i gabuar por më mirë vonë se sa kurrë. Kështu që po shpresojmë se 1 janari do të jetë data kur edhe shtetasit e Kosovës do shijojnë udhëtimin pa viza në Evropë”, tha Von Cramon për Klan Kosova. Nota pozitive nga e nesërmja pret edhe raportuesja nga Brukseli, Gjeraqina Tuhina.Sipas saj, s’ka më dilema që prej janarit të vitit të ardhshëm, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza.“Bëhet fjalë për përfundimin e të gjitha procedurave vendimmarrëse sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, nuk ka dyshim se do të kalojë nesër me shumicë dërmuese votim mbi liberalizimin e vizave marrë parasysh se PE ka qenë promotori më i madh i heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, andaj rezultati si i tillë do e dëshmojë gjatë ditës së nesërme”, tha ajo për RTK.Me marrjen e dritës jeshile për procesin nga Parlamenti Evropian, atëherë vendimi nënshkruhet nga përfaqësuesit e tri institucioneve të BE-së: Komisioni, Këshilli dhe Parlamenti.Më pas, vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare dhe pastaj hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit, në fillim të vitit të ardhshëm. Me këtë përmbyllet i gjithë procesi.Parlamenti Evropian disa herë që nga viti 2016 ka votuar në favor të lëvizjes së lirë të kosovarëve në Zonën Schengen. Procesi i negociatave për vizat mes Prishtinës zyrtare dhe Brukselit nisi në janar 2012.Kosova ka plotësuar 95 kritere, që ishin gati dyfishi që iu kërkua vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, e që s’kanë regjim vizash për më tepër se një dekadë.Kosovarët drejt BE-së do të mund udhëtojnë pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh, në çdo periudhë 180 ditore. /Reporteri.net/.