SREBRENICA ËSHTË MAJA E AJSERGUT E GJENOCIDIT SERB KUNDËR MUSLIMANËVE TË BALLKANIT    -Shkruan:Prof .Dr. Milazim KRASNIQI .                               

                Që nga kongresi i Berlinit dhe luftërat ballkanike, Serbia e ka pasur rolin e shtetit që disiplinon dhe zhbën me terror e me gjenocid muslimanët e Ballkanit. Atë detyrë ia kanë ngarkuar disa nga Fuqitë e Mëdha të asaj kohe dhe Serbia ka bërë përpjekje ta zbatojë në tërësi.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar më 23 maj 2024 rezolutën për krimin e gjenocidit në Srebrenicë, që do të ketë si datë përkujtimi 11 korrikun. Rezoluta është dokument shumë i rëndësishëm, por sado që ta adresojë përgjegjësinë për gjenocidin, ajo nuk do të mund ta adresojë gjithë përgjegjësinë e Serbisë dhe të kombit serb për krimet e kryera kundër muslimanëve të Bosnjes dhe të Ballkanit për mbi një shekull. Aq me tepër që ato krime nuk janë sistematizuar e specifikuar saktësisht.  

Shumë pyetje pa përgjigje                                                                                                 Prandaj, pyetjet si këto më poshtë, do të mbeten që të marrin përgjigje nga historiografia, e jo nga drejtësia. Pse ka ndodhë gjenocidi në Srebrenicë e në Bosnje, ku në mënyrë të planifikuar, janë ndarë meshkujt nga femrat dhe janë sistemuar për t’u ekzekutuar? Pse ka zgjatë aq vite rrethimi dhe bombardimi i Sarajevës, ku njerëzit janë vrarë në mënyrë të planifikuar, për të shkatërruar jo vetëm qëndresën civile, po edhe shëndetin mendor e riprodhues të boshnjakëve? Pse anekënd Bosnjes me mijëra trupa të viktimave boshnjake janë hedhur në lumenj, janë fshehur nëpër shpella, janë djegur? Pse sulmi në Reçak ka qenë aq brutal, ku trupat e të vrarëve janë masakruar, duke ua prerë edhe kokën ose gjymtyrët e tjera të trupit? Pse sulmi në familjen Jashari në Prekaz ka qenë joselektiv, ku janë vrarë fëmijë e gra? Pse janë bombarduar qindra fshatra shqiptare të Kosovës në mënyrë të planifikuar për ta realizuar spastrimin etnik? Pse janë bartë me kamionë qindra kufoma nga Kosova në Batajnicën e Beogradit, ose janë fundosur në ujërat e Liqenit Peruqac? Meqë gjenocidi  në Srebrenicë e BeH dhe në Kosovë ka ndodhë në fundin e shekullit XX, nën reflektorët e medieve globale dhe të organizatave ndërkombëtare, në shikim të parë duket si një verbëri politike e Serbisë. Si ishte e mundshme që Serbia të organizonte krime aq të përbindshme, pa e pasur brengën për reagimet e opinionit publik dhe të organizatave ndërkombëtare, përfshirë OKB-në e NATO-n? Aq më tepër që pikërisht në këtë periudhë Rusia ishte në pikën më të dobët të saj si shtet, gjë që e bënte të qartë se ajo nuk mund ta ndihmonte projektin e ri të Serbisë së Madhe. Këtë gjë e ka pohuar edhe ish presidenti i federatës jugosllave, Borisav Joviqi, i cili pati pohuar se gjeneralit Kadijeviq, të cilin ai e Millosheviqi e kishin dërguar fshehurazi në Moskë, i ishte thënë prerazi se Rusia nuk mund t’u ndihmonte. /www.QendraPress.com/