Totaj nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për projektin DIG4K, mbështetje për digjitalizimin e bizneseve në Prizren

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi me Innovation & Training Park (ITP Prizren) dhe Makerspace Innovation Center Prizren (MICP) për bashkëfinancimin e projektit “Digital Innovation Gateway for Kosovo – DIG4K” (Porta e Inovacionit Dixhital për Kosovën).

Projekti DIG4K synon ofrimin e shërbimeve të digjitalizimit dhe transformimit digjital për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Kosovë, si dhe për një pjesë të sektorit publik, me qëllim rritjen e kapaciteteve teknologjike dhe konkurrueshmërisë së tyre.

Sipas kryetarit Totaj, ky bashkëpunim do të ndikojë drejtpërdrejt në fuqizimin e bizneseve lokale dhe avancimin e proceseve të tyre teknologjike.
“Përmes këtij memorandumi, po krijojmë mundësi konkrete për bizneset e regjionit të Prizrenit që të avancojnë përtej mbështetjes bazë dhe të digjitalizojnë proceset e tyre në përputhje me nevojat dhe objektivat e tyre zhvillimore. Ftoj të rinjtë dhe bizneset që ta ndërtojmë së bashku një ekosistem më të fuqishëm inovacioni, duke krijuar mundësi të reja zhvillimi, punësimi dhe transformimi digjital për qytetin dhe regjionin tonë”, ka deklaruar Totaj.

Ky bashkëpunim targeton në veçanti bizneset e Prizrenit, të cilat tashmë janë duke përfituar nga shërbimet e projektit, ndërsa përmes bashkëfinancimit nga Komuna e Prizrenit u mundësohet zgjerimi dhe thellimi i procesit të transformimit digjital.