𝐌𝐛𝐥𝐞𝐝𝐡𝐣𝐚 𝐞 𝐫𝐫𝐞𝐠𝐮𝐥𝐥𝐭 𝐞 𝐝𝐫𝐞𝐣𝐭𝐨𝐫ë𝐯𝐞 𝐭ë 𝐊𝐨𝐦𝐮𝐧ë𝐬 𝐬ë 𝐏𝐫𝐢𝐳𝐫𝐞𝐧𝐢𝐭
Në prani të mediave dhe shoqërisë civile, nën monitorimin e OSBE-së, sot, u mbajt mbledhja e përjavshme me drejtorët e Komunës, udhëhequr nga Nënkryetari Kujtim Gashi, ku u raportua për arritjet javore dhe planifikimin për ditët në vijim.
Javën që po e lëmë pas, ka vazhduar realizimi i projekteve kapitale në Komunën e Prizrenit – aktualisht janë duke u realizuar 41 projekte infrastrukturore në gjithë territorin e Komunës së Prizrenit.
Po vazhdon “Java Remzi Ademaj – Shtigjeve të Lirisë” me aktivitete për nxënësit e shkollave të Prizrenit – gara në lëndë të ndryshme si dhe gara sportive e kulturore. Komuna e Prizrenit është e vetmja Komunë që ka të decentralizuar buxhetin për arsimin, gjë e cila u diskutua me Fondacionin e Trajnimeve. Ndërsa, ka filluar furnizimi i shkollave me lëndë djegëse për sezonin dimëror.
Fermerët, së shpejti do të pajisen me mekanizma bujqësorë – 210 fermerë janë përfitues të subvencioneve, e së shpejti shpallet lista përfundimtare e përfituesve. Në përfundim e sipër janë të gjitha projektet e parapara nga DBZHR-ja – hapja e kanaleve dhe puseve për ujitje.
Komuna e Prizrenit do të marrë pjesë në “Javën e Komunave Shqiptare” për nder të festave të nëntorit, e DKRS-ja do të paraqitet me aktivitete kulturore e sportive në këtë ngjarje që organizohet për herë të parë. Më 18 nëntor 2022, pas tetë vitesh pauze, mbahet Festivali i Fëmijëve “Fluturat” në Qendrën Sportive “Sezai Surroi” në Prizren. Njëkohësisht, ka filluar faza e dytë e subvencionimit të projekteve të OJQ-ve.
Gjatë javës që e lamë pas kanë vazhduar aksionet e inspektorëve komunalë për lirimin e hapësirave publike dhe trotuareve.