10 vjet nga tragjedia e Restelicës, ish-eprori i FSK-së kujton ngjarjen dhe shpëtimin e Amsera Rekës.
Sot janë bërë 10 vjet nga tragjedia e Restelicës, fshat në komunën e Dragashit, ku si pasojë e rënies së ortekut të borës humbën jetën 10 banorë, të gjithë të një familje të këtij fshati. Nga kjo fatkeqësi natyrore u shkatërruan dhjetëra shtëpi, ndërsa fatkeqësisë i mbijetoi vetëm, Amsera Reka, e cila në atë kohë ishte 7 vjeçare,Shemsi Syla, i cili në atë kohë ishte Komandant i Njësisë Ndërlidhëse për Reagim ndaj Krizave të FSK-së, ka kujtuar ngjarjen tragjike, duke thënë se kishte në krah përgjegjësi të trefishtë.“Në punën time shumëvjeçare ushtarake, ka pasur shumë momente nga të cilat kujtesa ime nuk ndahet dot. Por, ngjarja e Restelicës është një kujtim që e përjetoj edhe tani. Atëkohë, si Komandant i Njësisë Ndërlidhëse për Reagim ndaj Krizave të FSK-së, në ballë të stuhisë së tragjedisë në njërën anë, në tjetrën udhëheqjen e ushtarëve në kërkim, duke shërbyer njëkohësisht si urë lidhëse mes ngjarjes dhe mediave, kisha në krah përgjegjësinë e trefishtë”, ka pohuar ai. Syla ka pohuar se ai asnjëherë nuk e harron momentin kur është shpëtuar Amsera Reka.“Ajo ditë tragjike u shtri në orë të gjata në kërkim, nën kushte të tmerrshme atmosferike, nen presionin e tmerrshëm të idesë se një familje e tërë po shuhet nën acarin ortekut të tmerrshëm. Atëherë kur filloi të na zbehet shpresa, një dritë shndërriti zemrat tona. Ajo ishte Amsera e vogël, e cila me shpirtin e saj të pastër, e mbijetoi edhe të ftohtin, edhe tragjedinë, edhe vdekjen e të gjithë anëtarëve të familjes së saj. Asnjëherë nuk e harroj atë moment! Frymëmarrja e saj ishte gjithçka që ëndërruam në ato momente! Me lot gëzimi e dhembjeje njëkohësisht, me ndjenja të përziera, nxorëm nga rrënojat e shtëpisë së saj, Amserën e vogël e cila sot, 10 vjet më pas, është bërë një vajzë e madhe, me shpirt të pastër e një personalitet të paparë”, thotë mes tjerash ai.Në shkrimin e bërë në Facebook, Syla ka bërë të ditur se me Amsera Reka ende i mbanë kontaktet.“Me Amserën, i mbaj ende të gjalla kontaktet. Ajo tani jeton me gjyshërit e saj në Itali, nën përkujdesjen dhe dashurinë që e meriton. Sa shumë gëzohem kur ajo më shkruan! Gëzohem për jetën, hidhërohem për fatin e një familjeje të tërë që vdiqën pa pasur mundësi lamtumire mes vete! Sot 10 vjet, familjarët Reka nga Restelica u zhdukën nga orteku i tmerrshëm që i mori në orët e hershme të mëngjesit! Dritë u bëftë shpirti i tyre, e Amsera, tashmë vajzë e madhe, i kujtoftë me kujtimet më të bukura”. Ndryshe, aksioni i shpëtimit ishte organizuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës, por arritja deri te vendi i tragjedisë ishte i vështirë, për shkak kushteve atmosferike dhe borës së madhe.
Bottom of Form