11 muaj në kërkim të Bedri Rexhepit, ende asnjë gjurmë
Kanë kaluar plotë 11 muaj prej se Bedri Rexhepi është zhdukur. E familjarët e tij tashmë janë të indinjuar me Prokurorinë e Shtetit duke thënë se qysh në fillim nuk janë marrë hapat e duhur për ta gjetur gjurmë për familjarin e tyre, Bedriun.Për 11 muaj ata nuk e kanë marrë asnjë informatë nga institucionet përgjegjëse. Kështu kanë thënë familjarët e tij.“Me 8 mars janë bërë 11 muaj nga humbja dhe pa asnjë gjurmë e Bedri Rexhepit. Familjarët vazhdojnë të jenë të shqetësuar për zhdukjen e tij. Ne familjarët jemi thellë të indinjuar për punët e prokurorisë meqë nuk është bërë mjaftueshëm që të gjendet ndonjë gjurmë për Bedriun, përkundër që ne vazhdimisht kemi kërkuar sa më shumë informata. Por përkundër kësaj tash e 11 muaj nuk e kemi marrë as edhe një lajm se çfarë po ndodhë me rastin e Bedriut. Që nga fillimi s’janë ndërmarrë hapat e duhur për të çuar në gjurmët që do ta zbardhin fatin e familjarit të tyre. Edhe pas shumë përpjekjeve dhe insistimit nga familja për t’i çuar drejt Bedriut prokuroria dyshohet se nuk i ka ndjekur hapat e duhur për rastin”, kanë thënë familjarët për KosovaPress.Sipas tyre, përgjigjet janë të njëjta nga ana e prokurorisë se janë duke ndërmarrë veprime por që këto, sipas tyre, më shumë po mbesin vetëm si deklarata.Informacionet të cilat deri tani kanë familjarët janë se Bedri Rexhepi me datën 8 prill 2021 është parë në Novobërdë dhe nga aty me asgjë për të. Tani rasti është në dorën e prokurorit Armend Hamiti.