16 vjet të pavarur, rrugëtimi i shtet-ndërtimit të Kosovës
Rrugëtim i gjatë dhe i vështirë, me vuajtje dhe sakrifica, e përcolli Kosovën deri në pavarësimin e saj. Për vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, qytetarët e saj vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Millosheviqit.
Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, vendi administrohej nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK dhe Institucionet Vetëqeverisëse të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria. Në nëntor të vitit 2005, nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007, i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur.
Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008, në orën 15:39, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë. Deputetët e komunitetit serb nuk ishin të pranishëm në seancë.Deklaratën e Pavarësisë e lexoi kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Ishte ajo deklarata e pavarësisë së shtetit më të ri në botë.Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA-ja, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe, ndërsa aktualisht vendi ka 117 njohje.
Por ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme.
Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës, rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.
E sot Kosova feston plot 16 vjet pavarësi.Megjithatë, sfidë për konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare mbetet dialogu me Serbinë.
Në vitin 2010, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut Kosovë –Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.
Sidoqoftë, edhe pse në fillim u paralajmërua që Kosova do të bisedojë me Serbinë vetëm për çështje teknike, të cilat janë udhëhequr nga ekipet teknike të të dyja shteteve, në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluan edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Deri tani janë arritur 28 marrëveshje ndërmjet dy vendeve, përfshirë edhe atë të arritur më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj, më 18 mars, të po atij viti në Ohër. Në shumë raporte dhe analiza të shoqërisë civile në Kosovë potencohet se zbatimi i marrëveshjeve nuk ka qenë i kënaqshëm, duke u nisur nga vet natyra e marrëveshjeve, si dhe mosgatishmëria e Serbisë për t’i zbatuar ato. Ndërkaq, si element i veçantë në këto marrëveshje është karakterizuar dykuptimësia konstruktive ose ambuiguiteti, metodë kjo për t’iu përshtatur qëndrimit të palëve rreth statusit së Kosovës.
Aktualisht në Kosovë është në pushtet, kryeministri Albin Kurti, i cili ka fituar mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e vitit 2021. Ndërkaq, prej pavarësisë e tutje kanë udhëhequr me vendin gjashtë qeveri të ndryshme.
Orientimi i Kosovës është për integrim të plotë në Bashkim Evropian. Në dhjetor të vitit 2022, Kosova ka dorëzuar aplikacionin për marrjen e statusit “vend kandidat”, mirëpo i njëjti ende nuk është shqyrtuar nga BE-ja.Pas 12 viteve prej kur kishte pranuar udhërrëfyesin për liberalizim të vizave, prej janarit të këtij viti, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian, pasi është hequr regjimi i vizave.
Në anën tjetër, Kosova në vitin 2022, ka aplikuar edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës, proces ky i cili po vazhdon ende.
Viti 2023, ishte situatë mjaft e vështirë për vendin pas sulmit terroristë serb në veri, ku mbeti i vrarë një Polic i Kosovës dhe u plagosën disa të tjerë. Kurse, me kërkesën e shtensionimit të situatës atje, bashkësia ndërkombëtare vendosi sanksione ndaj vendit tonë, të cilat ende po vazhdojnë.
Kosova aktualisht po përballet me presion ndërkombëtar për shtyrje të vendimit të BQK-së për rregulloren, e cila nënvizon se vetëm monedha euro mund të përdoret për qëllime të pagesave brenda Kosovës./KosovaPress/