22-vjet nga rënia heroike e Ilaz Kodrës
Sot bëhen 22 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.Me këtë rast, sot në orën 09:00, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe me kryetarin e komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, vizitojnë Kullën e Ilaz Kodrës.Ndërsa në orën 09:30, presidentja Osmani së bashku me kryetarët Jashari e Lladrovci bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë dhe në ora 10:00 ata do të bëjnë homazhe për të rënët në Vërboc.Në organizim të komunës së Skenderajt dhe asaj të Drenasit dhe në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, do të mbahet edhe një turne në futboll në ora 12:00, në Klinë të Mesme.Ilaz Ismajl Kodra u lind më 3 maj 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.Ndikimi atdhetar, që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit.Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë.Ilaz Kodra mbante kontakte ilegaliteti me komandantin Adem Jashari dhe me pjesëtarët e bërthamës së parë çlirimtare të Drenicës. Ata, në vitin 1991 kishin kaluar kufirin edhe ishin futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’ u armatosur.Në periudhën para fillimit të luftës së hapur kundër forcave pushtuese serbe, Ilaz Kodra mori pjesë aktive në forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së, në mobilizimin e vullnetarëve. Po ashtu, ai mori pjesë edhe betejën e njohur të Rezallës së Re, betejë kjo që u zhvillua më 26 nëntor të vitit 1997.Pas betejës së Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, bashkëluftëtarët e komandantit vazhdojnë veprimet luftarake duke e zgjeruar UÇK-në po thuajse në çdo fshat të kësaj ane.Ilaz Kodra, Fehmi Lladrovci, Abedin Rexha e të tjerë ishin kthyer në Drenicë së bashku me familjet e tyre. Po ashtu, frontet e luftës ishin zgjeruar edhe në Dukagjin, Anadrin, Neredime, në Shalë e në Llap.Ilaz Kodra ishte pjesëtar i kreut të luftës në Drenicë. Së bashku me Sami Lushtakun, Hashim Thaçin, Sylejman Selimin, Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Nuredin Lushtakun, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqin-Lladrovci, Abedin Rexhën, Musë Jasharin, Sahit Jasharin, Shaban Shalën, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Ilaz Dërgutin, Asllan Fazliun, Besim Malën, Sabit Llardovcin e shumë të tjerë, komandant Ilaz Kodra ka marrë pjesë si në organizimin dhe strukturimin e luftës çlirimtare, ashtu edhe në zhvillimin e saj në terren, në malet e Qyqavicës dhe gjithandej në Drenicën Qendrore.