23 biznese përfitojnë grante në Prizren për gratë dhe të rinjtë
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se për vitin 2024 do të ndahen grante për 23 biznese, me fokus të veçantë në gratë dhe të rinjtë, në kuadër të skemës “Mbështetja e ndërmarrjeve ekzistuese dhe Start-Up në Komunën e Prizrenit”.
“Për tri vjet me radhë, Komuna e Prizrenit, në bashkëpunim me Agjencinë për Zhvillim Rajonal – Jug, ndanë grante, sidomos për gratë dhe të rinjtë tanë”, u shpreh Totaj, përcjell PrizrenPress.
“Fondi total në dispozicion për sivjet është 60,000 euro, që në krahasim me vitin e kaluar ka rritje për 50%. Me bashkëfinancim të aplikantëve, fondi është rritur në rreth 80,000 euro”, theksoi ai.
Totaj përfundoi duke thënë se “ky projekt ka për qëllim fuqizimin e sektorit privat, që është një prej prioriteteve të qeverisjes aktuale lokale”