23 ditë krizë që Albin Kurti të pranojë më lehtë nisjen e themelimit të Asociacionit  

                           Kosova ka avancuar një hap para në zotimin e saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ujdia e arritur mbrëmë në Bruksel përveç se i dha fund krizës njëzetetre (23) ditore në vend – që rezultoi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat e paligjshme – të paktën “në pritshmëritë bazike” të BE’së del se është trase për formimin e Asociacionit, dhe për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione, natyrisht. Përmbushja e këtyre detyrimeve hap rrugën për “marrëveshjen e madhe”. Se Kosova ka të drejtë të ndalojë qarkullimin e targave të MPB-së serbe me emërtime të qyteteve kosovare si “KM, PZ, etj” brenda shtetit, këtë s’e kishte kontestuar asnjë nga aleatët ndërkombëtarë.Megjithatë, forma se si e kishte dizajnuar implementimin e kësaj marrëveshje Qeveria e Kosovës, s’e kishte marrë miratimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.QUINT’i ia kishte bërë të ditur Aleksandar Vuçiçit përmes një dokumenti të përbashkët se Kosova është në të drejtën e saj në shtrirjen e sovranitetin në trafik në mbarë territorin e saj, por se do ta trajtonin zbatueshmërinë e këtij vendimi me Qeverinë e Kosovës.Ata kishin kërkuar, përveç shtyrjes 2 muajshe edhe një tjetër 10 muajshe, ngase, siç argumentonin ata, kështu parashihej edhe në Marrëveshjen e Brukselit. Përveç kësaj, 2 muaj ishin pak kohë për realizimin e një objektivi të tillë, shpreheshin ata.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, megjithatë, hartoi një plan zbatimi të fazshëm, i cili as kësaj here, s’i kishte kënaqur pritmshëritë dhe kërkesat e QUINT’it, e veçanërisht të ShBA’së.

Reagimi i Departamentit amerikan të Shtetit ndaj kësaj fazshmërie të zbatimit të vendimit shprehte përsëri “zhgënjim dhe shqetësim”, reagim të cilit i kishte dhënë edhe më tej kreshendo ai i Bashkimit Evropian.

Kosova mbeti pa mbështetës në çuarjen para të kësaj mase, ndonëse e kishte pasur atë në rend të parë të vendimit si të tillë.Opozita dhe jo vetëm ishin vokalë në kritikimin e qeverisë kosovare për tensionim të marrëdhënieve me aleatët kryesorë të vendit.Mospajtimi kishte marrë theks të posaçëm në dritën e shfaqjes në publik të planit të ashtuquajtur plan franko-gjerman, e që mëpastaj u pohua të jetë plan evropian.Plani konkretizohej në marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve simbas rregullimit të raporteve ndërshtetërore në Kartën e Kombeve të Bashkuara.“Bazë të mirë dhe të shëndoshë për negociata”, e kishte vlerësuar Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Largimi i serbëve nga institucionet, prelud i tensioneve

Me të nisur faza e parë e lëshimit të fletqortimeve për vozitësit me targa “KM, etj”, oficerët serbë policorë të pjesës veriore të Kosovës refuzuan të përfillin urdhërat qendrorë.Kjo çoi në suspendim dhe shkarkim të ish-Drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës për Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriç, ngjarje kjo që për kundërefekt solli dorëheqjet e njëpasnjëshme të serbëve nga institucionet kosovare në veri.Rreth 600 policë serbë zhveshën uniformat, katër kryetarë komunash me stafet e tyre u dorëhoqën, për t’u pasuar me dorëheqje nga gjyqësori, prokuroria, nga punonjësit në pikat kufitare Jarinje e Brnjak, deri te largimi i 10 deputetëve të Listës Serbe nga Kuvendi (megjithatë nëntë tjetër të LS-së u kthyen përsëri).

Lista Serbe deklaroi se serbët s’do të kthehen në institucione pa u themeluar Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe pa u tërhequr zbatimi i vendimit për targat.

Kjo situatë krijoi vakum sigurie.

KFOR-i dhe EULEX-i i përvishën mëngët dhe rritën prezencën e tyre atje, njëra me mandat të Rezolutës 12/44 dhe tjera e Bashkimit Evropian që Kosovën e njeh pashkëputshëm me fusnotë, që e ka aty “për të mos ia paragjykuar statusin”.ShBA ishte më zëshmja. Kurtit i kërkuan të shtyjë menjëherë afatin për këtë masë për edhe dhjetë muaj dhe që serbët të kthehen në institucione.Madje, edhe tri ministrave të qeverisë Kurti II “iu sanksionua me mirësjellje” udhëtimi i tyre në ShBA. Kosova është në krizë, argumentoi ambasadori Jeff Hovenier, dhe ministrat duhet të jenë këtu. “Nuk është koha më e mirë që ata të jenë duke udhëtuar në ShBA”.Një gjë e tillë zgjoi debat të madh shqetësimi nga një shtet, që për kosovarët masivisht shihet si themeltar i shtetit të pavarur të Kosovës.

Situata në terren veçsa bëhej më e tensionuar

“Është absurde të rrezikohet përshkalllëzimi në dhunë për targa”, argumentonte ambasdori gjerman Prishtinë, Jorn Rhode, derisa ambasadori amerikan në Beograd, Chris Hill, habitej se si në një kohë kur Federata Ruse përbën kërcënim bërthamor të ketë edhe këso konflitesh për targa.Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e shihte alarmante morbashkërendimin e veprime me ShBA-në.Në një takim të thirrur me partitë opozitare, përshtypja e këtyre të fundit ishte se nuk kanë parë një plan si të dilet nga situata e as si të vazhdohet tutje.Qeveria e Kosovës shprehej e palëkundur për ushtrimin e ligjshmërisë dhe sovranitetit në tërë territorin e vendit.Sovraniteti është i rëndësishëm, argumentonte opozita, por njëjtë janë edhe aleatët.

Epilogu i çështjes së targave

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, thirri takim emergjent të Nivelit të Lartë mes Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Takimi përfundoi pa marrëveshje.

Borell fajësoi Kurtin për mospranim të propozim-kompromisit të BE’së, ndërsa Kurti fajësoi BE’në se hoqi dorë nga plani franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Reduktim të takimit në çështje targash e vlerësoi Kurtin propozimin e Borrell’it, derisa tha se “këtë gabim duhet ta korrigjojë Borrelli”.

Në vend, mbështetësit e tij nisën një fushatë të ashpër sulmesh e ofendimesh ndaj kryediplomatit të BE’së. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Borrell rehabilitoi agresorin me njëanësinë e tij.

Por, s’u deshtën as dy ditë për t’u kthyer tek po i njëjti propozim i të njëjtit njeri “të njëanshëm”.

Kosova pranoi të heq dorë nga gjobitja dhe konfiskimi i targave “KM”, kurse Serbia e kishte pranuar qysh të hënën të mos lëshonte më targa “KM”.

Borrell u shpreh gëzueshëm “we have a deal” por lëshoi edhe dy mesazhe të pagëzueshme, së paku për palën kosovare.

“Palët kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e arritura në Dialog duhet të zbatohen”, që nënkupton edhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe atë se “nëse njëra nga Palët bllokon Dialogun, ndërmjetësi mund t’i jep fund procesit të dialogut”.

Një ditë pas ujdisë në Bruksel, BE’ja përmes Peter Stanos e “deshifroi” përmbajtjen e saj. Themelimin i Asociacionit dhe kthimi i serbëve në institucionet kosovare “është një nga pritjet themelore të BE-së” nga marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi.

Marrëveshja për Asociacionin – që partia që sot e vetme ka pushtetin në Kosovë, kur ishte në opozitë parapëlqente ta quante “Zajednicë” – u ratifikua në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015 si marrëveshje ndërkombëtare, por se s’u zbatua kurrë shkaku i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që ia shpalli jokushtetues disa nga pikat e parapara për themelimin e saj.

Kurti, në anën tjetër, thotë se mbrëmjen e së mërkurës “nuk pati marrëveshje për targat, por dakordim” derisa shtoi se “ne nuk ndryshuam qëndrim, por Borrell ndërroi deklaratat”.

Opozita e quajti dramë të panevojshme të gjithë situatën e krijaur në katër pesë javët e fundit, derisa e mirëpriti që më në fund u pajtua të ecet para pa një pengesë të natyrës teknike siç janë targat.

Derek Chollet, Këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit Joe Biden, e mirëpriti vendimin e Kurtit me një gjuhë të relaksuar, ndryshe nga ditë më parë kur në telefonatë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shprehu zhgënjim me palën kosovare.

Dallimi mund të bëhet thjesht në cicërimat e tij në Twitter, kur, i pakënaqur me vendimet qeveritare kosovare shprehej se “bisedova me Kryeministrin Kurti” në këtë të fundit si “bisedë e mirë me Kryeministrin Kurti”. /Reporteri.net/.