24 vjet nga beteja historike në Prekaz, sot nis Epopeja e UÇK-së
Kosova përkujton sot nisjen e betejës së serbëve ndaj familjes Jashari, betejë e cila i mori jetën familjes Jashari në krye me Komandantin Legjendar, Adem Jashari.Beteja treditore nisi në mëngjesin e 5 marsit 1998, kur serbët mësynë në shtëpinë e Adem Jasharit në Prekaz.Sulmi mbi Jasharët nisi rreth orës gjashtë të mëngjesit, kur forcat policore dhe ushtarake serbe në fillim sulmonin nga të gjitha drejtimet. I menjëhershëm dhe shumë i fuqishëm ishte edhe kundërpërgjigjja e Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij.
Beteja e Jasharëve dhe qëndresa heroike e tyre zgjat tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Pasi iu vra gruaja dhe disa fëmijë në ditën e parë e të dytë të betejës, data 7 mars 1998 do të shënonte rënien e Komandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij.
Në këtë Betejë, së bashku me Komandantin e UÇK-së, Adem Jashari, nga familja e tij në fushën e nderit ranë heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë, atdheut dhe kombit 20 anëtarë, 10 prej të cilëve fëmijë.
Ani pse ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marrë vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”. Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre. Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.
Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.
Andaj figura e Adem Jasharit bashkë me ngjarjet e pesë, gjashtë dhe shtatë marsit përbëjnë tërësinë e sfidave, që për kohën ishin ndryshim epoke, ndryshim jete. Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Agjenda e plotë për këtë vit për Epopenë e UÇK-së:
5 mars 2022
11:00 Ceremonia e Rreshtimit të Njësive Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës
Vendi: Kazerma “Adem Jashari”, Prishtinë
12:00 Seancë solemne e Kuvendit e Republikës së Kosovës
12:00 – 15:00 Ditë e hapur për qytetarët e Republikës së Kosovës
Vendi: Kazerma “Adem Jashari”, Prishtinë
– Aktivitete me nxënës në shkollat e Republikës së Kosovës
– Seanca solemne në kuvendet komunale
6 mars 2022
09:00 Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
12:00 Homazhe në komplekset memoriale të dëshmorëve të UÇK-së
11:00 – 17:00 Instalacion me fotografi dhe video: Historia e 5, 6 dhe 7 marsit
Vendi: Sheshi “Skënderbeu”, Prishtinë
17:00 Akademi përkujtimore
Vendi: Salla e Kuqe në Pallatin e Rinisë, Prishtinë
7 mars 2022
– Ora e parë mësimore i kushtohet Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
18:00 Manifestimi “Nata e Zjarreve”, koncert në sheshin “Adem Jashari”, Skënderaj
18:00 Ndezja e flakadanëve në 7 zonat e UÇK-së dhe në Kazermën Adem Jashari.
Top of Form
Bottom of Form