Gjykata pezullon vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja të energjisë.

                       Gjykata Themelore në Prishtinë të premten ka vendosur që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike.Një vendim i tillë ka ardhur pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative në konfliktin administrativ të paditëses-propozueses Partia Demokratike e Kosovës kundër të paditurës-kundërpropozueses ZRRE me seli në Prishtinë, për shkak të anulimit të vendimit Nr.077/22 të datës 09.02.2022, i publikuar me datë 16.02.2022 me propozim për shtyrjen e ekzekutimit të të njëjtit, jashtë seancës me datë 08.04.2022 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses-propozueses PDK-së.Shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022, i publikuar me datë 16.02.2022 të paditurës ZRRE me seli në Prishtinë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses”, thuhet në njoftim e Gjykatës. Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës në mars kishte parashtruar Padi kundër Vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), me të cilin janë aprovuar tarifat e reja të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Në njoftimin e PDK-së thuhj se “vendimi i ZRrE-së, meriton shqyrtim gjyqësor në gjykatën kompetente, pos tjerash, edhe për faktin e mos përfshirjes në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike – të katër komunave veriore, duke diskriminuar kështu qytetarët e pjesës tjetër të vendit”.“ZRrE, duke mos përfshirë në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike, katër komunat veriore, përveç diskriminimit mbi bazën e vendbanimit, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në cenimin e parimit të sundimit të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të shtetit”, kishte njoftuar PDK, transmeton Telegrafi.“Vendimi i Partisë Demokratike të Kosovës për të paditur Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, vjen pasi Grupi Parlamentar ka parashtruar edhe kërkesën për themelimin e komisionit hetimor parlamentar, në të cilin do të hetohen vendimet, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë dhe institucioneve të tjera, në raport me menaxhimin e sektorit të energjisë, veçanërisht në muajt e krizës energjetike në të cilën u keqpërdorën dhjetëra miliona euro, pa plan, pa strategji, pa transparencë dhe në mënyrë të kundërligjshme”, thuhej në njoftim. /Telegrafi/