38 shkolla të mbyllura, 635 mësimdhënës e nxënës të infektuar me COVID-19
Gjithsej 38 shkolla po vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura në nivel vendi në Kosovë.
Kjo për shkak se 395 mësimdhënës dhe 240 nxënës kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.
395 mësimdhënës të infektuar dhe 64 të shëruar, 35 personel të infektuar dhe 13 të shëruar, si dhe 240 nxënës të infektuar dhe 58 të shëruar”, ka konfirmuar për Gazetën Express, Diellza Kukaj zyrtare për informim në MSH.
Për nxënësit tjerë të këtyre shkollave, sipas Kukajt mësimi është duke vazhduar në bazë të skenarit C të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, pra mësimi në distancë ose online.
“Deri më tani shkollat po i respektojnë udhëzimet e MASH, MSH, dhe IKSHPK. Përkatësisht, po operojnë bazuar në udhëzuesin e përgjithshëm të MASh-it për organizimin e mësimit në kushte pandemie, dhe protokollin e reagimit ndaj pandemisë Covid-19. Shkollat nuk po mbyllen, por mësimi po organizohet konform udhëzuesit të përgjithshëm sipas tre skenarëve bazuar në gjendjen me virus”, ka thënë ajo për Express.
Mësimi online në 38 shkollat e mbyllura për këta nxënës pritet të vazhdojë deri në një vendim të ri të Qeverisë së Kosovës.
“Mësimi online dhe aj nga distancë janë në dispozicion për nxënësit të cilët aktualisht. Po mbajnë mësimin sipas skenarit C dhe atij të kombinuar B. Deri në ndonjë vendim tjetër të Qeverisë, Ministria e Arsimit ka paraparë organizimin e mësimit sipas udhëzuesit të përgjithshëm të hartuar nga MASh, udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në kushte pandemie dhe protokollit të reagimit ndaj Covid-19, së bashku me të gjitha dokumentet tjera”, ka thënë tutje ajo.
E numri i shkollave që janë duke punuar me këtë skenar është 38. Më së shumti shkolla të mbyllura ka Prishtina me gjithsej 9 sosh, e pasuar nga Peja me 7 e Vushtrria me 6.
“Në nivel vendi janë të mbyllura kaq shkolla: Prishtinë 9 shkolla, Vushtrri 6 shkolla, Viti 1 shkollë dhe 1 çerdhe publike, Obiliq 2 shkolla, Deçan 2 shkolla, Skenderaj 1 shkollë, Fushë Kosovë 2 shkolla, Gjakovë 1 shkollë, Drenas 2 shkolla, Pejë 7 shkolla, Junik 2 shkolla, Ferizaj 1 shkollë, Shtime 1 shkollë”, ka konfirmuar ajo.
Në terren për të monitoruar gjendjen me Covid-19, sipas zëdhënëses së MASH-it janë edhe inspektorët arsimor.
“Inspektorati i arsimit është në terren duke monitoruar gjendjen në shkolla në baza ditore, dhe duke përcjell formën e organizimit të mësimit në shkolla dhe zbatueshmërinë e udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në kushte pandemie; të njëjtat raporte nga inspektorati MASh-it i pranon çdo ditë”, shtoi ajo.
Kujtojmë që vetëm sot në nivel vendi janë shënuar edhe 720 raste të reja me coronavirus, teksa 11 të tjerë e kanë humbur betejën me të.