Kurti: Draft-statuti i propozuar dëshmon qartazi se Serbia dëshiron Republikë Srpska në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se draft-statuti i prezantuar sot në takimin me Aleksandar Vuçiq nga koordinatorja e ekipit menaxhues, Danijela Vujiçiq, nuk ishte në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.Sipas Kurtit, ky propozim dëshmon qartazi se Serbia po kërkon të themelojë një Republika Sërpska në Kosovë, shkruan gazeta online Reporteri.net.“E kanë dorëzuar draftin. Unë ua thashë në mënyrë të argumentuar, të arsyeshme, të logjikshme, se është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë. Draft statuti që ka prezantuar ekipi menaxhues, që sonte dekomisionoi veten me rastin e prezantimit të draft-statutit, është rezultat i dëshirës për Republika Sërpska në Kosovë. Qartazi ekziston dëshira për Republika Sërpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë statut”.Kryeministri Kurti bëri me dije se ai propozoi një draft-vizion që, sipas tij, ishte në pajtueshmëri me një marrëveshje ekzistuese për normalizim mes Serbisë dhe Kroacisë.“Draft-vizioni që propozova unë mund të them se është inspiruar nga një marrëveshje që ka bërë Serbia për normalizim, është marrëveshja e Serbisë me Kroacinë. Ato kanë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ku parashihen të drejta për pakicën kombëtare serbe në Kroaci. Unë jam inspiruar prej atij modeli”.Ndërkohë, Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha pas takimit se prezantimi i draft-statutit ishte një hap i rëndësishëm drejt themelimit të Asociacionit.I njëjti bëri të ditur se pikëpamjet e të dy palëve mbi natyrën e themelimit të Asociacionit janë shumë të kundërta me njëra-tjetrën, por që tha se këtë po e priste. /Reporteri.net/.