Shoqatat e luftës: Debati Jashari-Lushtaku, i dëmshëm dhe nuk i duhet askujt
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas debatit në mes të kryetarit të Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari dhe ish kryetarit, Sami Lushtaku.
Në reagim thuhet se ky debat është i dëmshëm dhe nuk i duhet askujt, e aq më pak veteranëve e familjarëve të dëshmorëve.
Reagimi i plotë:
Fillimisht ne Shoqatat e dalura nga lufta e lavdishme e UÇK-së, nuk mund të mos shprehemi publikisht se nuk na erdhi aspak mirë kur në media dolën shkrime e publikime të interpretuara e të keqinterpretuara për debatin e zhvilluar në mes të kryetarit të Komunës së Skënderajt dhe ish kryetarit të po kësaj komune.
Ne konsiderojmë së ky debat, në kohën dhe situatën që ndodhemi është i dëmshëm dhe nuk i duhet askujt, e aq më pak neve si veteran, invalid e familjar të dëshmorëve.Ne Shoqatat e dalura nga lufta e UÇK-së, dega në Skënderaj, reagojmë dhe shprehim kundërshtimin tonë në lidhje me lajmin e publikuar në T7 me titullin “Familjet e dëshmorëve kundër Bekim Jasharit”, sepse ky lajm është i pavërtetë dhe mjaft tendencioz, gjë që tregon vet titulli i lajmit imagjinativo medialo shtrembërues.
Shoqatat e dalura nga lufta e UÇK-së, si përfaqësues të Familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve e vlerësojmë lartë kontributin e Familjes Jashari, si dhe të pasardhësit të tyre, kryetarit të Skënderajt z. Bekim Jashari, i cili në vazhdimësi ka përkrahur dhe vazhdon t’i përkrah Shoqatat e dalura nga lufta dhe familjet e dëshmorëve në përgjithësi.
Kryetari Bekim Jashari ishte i vetmi personalitet politik, i cili na vizitoi dhe iu bashkëngjit protestës sonë në ditën kur u arrestuan udhëheqësit e OVL të UÇK-së, si dhe qëndroi krah protestuesve për ndalimin e kriminelit Aleksandër Vuqiq në Skënderaj, në vitin 2018, por edhe në protesta tjera që mbaheshin kundër padrejtësive që po i bëheshin pjesëtarëve të UÇK-së dhe popullit shqiptarë në përgjithësi.
Familja Jashari dhe pasardhësit e tyre, dijnë, donë dhe janë gjithmonë të gatshëm ta mbrojnë kauzën kombëtare, ashtu siç ishin në luftë ashtu veprojnë edhe në paqe, gjithmonë në mbrojtje të luftës së lavdishme çlirimtare.
Ne kërkojmë nga veteranët, invalidët, familjet e dëshmorëve, qytetarët, mediat e portalet e ndryshme që të mos i keqinterpretojnë e as keqkuptojnë reagimet e personazheve të këtij debati, sepse ne si organizata të dalura nga lufta e UÇK-së, e dijmë, jemi të vetëdijshëm dhe shumë të sigurt se Familja Jashari është e shenjt ashtu siç është edhe vet lufta e UÇK-së dhe Kryekomandanti i saj Adem Jashari, ashtu siç e dijmë se vetëm të bashkuar e fituam lirinë, jemi të sigurtë se vetëm të bashkuar mund ta ndërtojmë shtetin dhe të ardhmen, prandaj kërkojmë nga mediat dhe familjet e dëshmorëve që të mos bien pre e deklaratave subjektive dhe të pavërteta të disa mediave kobndjellëse…