ÇKA ËSHTË OFENDIMIKUSH SI DHE PSE OFENDOJMË(Sqarim nga këndvështrimi Psikologjik)- Shkruan; Lule Alidema, Psikologe Klinike

0

Ofendimi është një nga format e zbrazjes së mllefit emocional i akumuluar brenda njeriut që shtyen njeriun deri në përdorimin e gjuhës së urrejtjes, sjelljeve, veprimeve që janë e kundërta e sjelljeve të pranuara.

Shumicën e rasteve është sjellje e kontrolluar, e mësuar, por me raste mund të jetë dhe instiktive e pakontrolluar dhe mund të jetë pasojë e ndonjë çrregullimi të mundshëm, ndonjë situate të papritur, nga xhelozia, inati, zemërimi, frustrimi, apo nga arësye të ndryshme, me ç’rast njeriu nuk arrinë ta kontrolloj sjelljen e tij.

Prandaj, jo gjithmonë është e qëllimshme dhe gjithësesi duhet mirkuptuar pa u ndier të ofenduar apo të lënduar.

Ofendimet siç u cek më lartë, zakonisht bëhen kur njeriu është në gjendje mllefi, nervozizmi, frustrimi, kur beson se i bëhet padrejtësi, për shkaqe xhelozie, keqkuptimi etj, dmth pasojë e një mungese emocionale si dhe paaftësisë për të kontrolluar gjendjen emocionale.

Në gjendje të tensionuar, nervozuar, frustruar, njeriu shpalosë shumë nga personaliteti i tij, dhe në gjendje të tillë është thuaja realiteti i karakterit të tij, sepse reagimi nga mllefi i akumuluar nuk i jep hapësirën superegos ta modifikoj sjelljen apo fjalën.

Format e ofendimt janë të ndryshme, mund të janë: veprime, fjalë, përmes shakasë, përmes injorimit, neglizhimit, abuzimit, keqpërdorimt etj.

Arësyet janë të ndryshme që njeriun e shpien deri te sjelljet e tilla.

Gjithësesi duhet pasur parasysh faktorët rrethanor, paknaqësitë me veten, zbrazjen emocionale, mungesat te vetja, mosarritja e qëllimit të vet, shprehisë së gabuar, shfrytëzimit të hapësirës që mund t’i ipet, etj.

Nëse shikohet nga aspekti psikologjik qoftë nëse bëhet me veprime ose fjalë, flitet për një personalitet që ndërtohet me po atë model sjellje mes ofendimesh sidomos mes prindërve, është keqtrajtuar, keqedukuar që nga fëmijëria e hershme, apo gjatë rritjes, trajtimit nëpër stadet e zhvillimit, adoleshencë, apo edhe stilit të jetës që tashmë bën.

Gjithmonë pas secilës fjalë, sjellje qëndron një arësye, apo një burim ku dhe nga niset fjala apo qëllimi ynë.

Me raste edhe shakaja e tepërt mund të jetë ofendim, edhe përmes shakasë mund të ofendohet, komplimenti tepruar poashtu, dmth çdo gjë që kalon kufirin e normales, ose ka mbrapa qëllimin ose ka diçka që nuk shkon nga aspekti psikologjik i atij që ofendon.

Personat që shpesh kanë prirje përdorimin e gjuhës së urrejtjes, ofendimit ndaj tjetrit në çfarëdo forme, atëherë ai person gjatë formimit të personalitetit të tij nuk është ndërtuar në mënyrën e duhur dhe për pasojë tri strukturat e personalitetit të tij kanë ngecje në kordinimin e njëra-tjetrës.

Këto tri struktura (idi, ego, superego) nëse nuk kanë baraspeshë funksionimi atëherë njeriu nuk ka aftësinë të kontrolloj veten, nuk ka aftësinë të dalloj kufijtë se deri ku duhet apo nuk duhet të arrijmë me fjalën, sjelljen dhe për pasojë shpesh tejkalohen normat, pasojnë ngritje tensioni konfliktual, sjelljet e dhunshme, e deri tek shkatërrimet më fatale.

Ka raste kur dhe njeriu me një personalitet të formuar drejtë dhe të qëndrueshëm shtytet nga rrethanat të ofendoj, sepse ka raste që i imponohet dhe nxitet drejt asaj sjellje, por jo atëherë kur nuk egziston ndonjë arësye e fuqishme që ai e gjykon të arësyeshme.

Në fakt arësye nuk ekziston asnjëherë, por me raste nga pamjaftueshmëria e rezistimit mund të bijmë preh e ndonjë situate të nxitueshme, të papritur, ose provokuese, dhe nuk i japim kohën e mjaftueshme mendjes të gjykoj se nuk ia vlenë përdorimi i gjuhës së urrejtjes, sjelljes së egzagjeruar.

Sikur të ndalemi dhe gjykojmë më thellë nëse ja vlenë ofendimi apo sjellja ofenduese atëherë do konkludojmë se nuk sjellë asnjë dobi as përfitim, në të kundërtën me raste një ofendim sado i vogël të jetë mund të shpie njeriun në probleme madhore.

Një personalitet i qëndrueshëm sado të ofendohet nga tjetri ai nuk i kthen në atë formë sepse nuk i lejon personaliteti i tij, ai ka aftësinë t’i jep hapësirën mendjes të gjykoj situatën drejt dhe duke mirkuptuar aftësitë e mangëta të tjetrit.

Sigurisht se herët apo vonë do t’a kuptoj, madje do pendohet për gabimin që bëri poashtu do i jepni një leksion të mirë të sjelljes atij që ju ofendoi.

Lejeni në ndërgjegjien e tij që atë t’a gjykoj ndergjegjia e tij!

Keni parasysh se ai që ju ofendoi juve u nxit nga një arësye, sepse ai ose nuk është në nivelin tuaj, i mungon diçka që ju keni ai nuk ka, e mbi gjitha nuk ka aftësinë menagjuase mendore si tuajën që të mund ta kursej veten nga sjelljet që nuk janë brenda kulturës, edukatës, traditës familjare.

Këshilla ime; Asnjëherë mos nxitoni të ktheni sjelljen, ofendimin me monedhën e njejtë, keni parasysh se aftësitë dallojnë nga individi në idivid, jo gjithë kanë aftësinë tuaj, jo gjithë kanë aftësinë t’i vëjnë kufizime vetes deri ku të shkoj sjellja tyre.

Kujtoni se mbas secilës sjellje, ofendimi ka gjithmonë një arësye.

Nëse arësyeja nuk është nga jashtë(shkaqe ndërveprimi) sigurisht se është nga brenda njeriut (faktorë psikologjik).

Mos lejoni që gjuha e urrejtjes të kalon në shprehi, sado që ju ipet hapësira!

ARSYETONI, MIRKUPTONI AFTËSITË NDRYSHE!

Lule Alidema, Psikologe Klinike

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *