Kuçi: Njoftimi i Speciales për Thaçin ishte puro-politik
Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se njoftimi i lëshuar nga Prokuroria Speciale për dorëzimin e aktakuzës për Hashim Thaçin ka qenë një veprim i pastër politik, meqë sipas zyrtarit të PDK’së është lëshuar në kohën kur Thaçi ishte nisur drejt Washingtonit për takimin e iniciuar nga administrata e Trump.
“Ka qenë një njoftim puro-politik. Ka prodhuar efekt politik”, ka thënë Kuçi.
Këto deklarata Kuçi i ka bërë në Pressing të T7, teksa ka rrëfyer edhe presionin e madh të ndërkombëtarëve për themelimin e Gjykatës Speciale.
Kuçi ka thënë se në kohën kur bëheshin përpjekje për themelimin e Speciales, presion ka pasur edhe nga Joe Biden, i cili tashmë pritet që të ulet në karrigen e të parit të SHBA’së.
Njoftimi i Prokurorisë Speciale ishte lëshuar më 24 qershor të vitit të kaluar.
“Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.
Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.
Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇIT dhe Kadri VESELIT për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. THAÇI dhe z. VESELI kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhej në njoftim.