Papunësia në Kosovë arrin në 24.6 për qind, thellohet numri i femrave të larguara nga puna
Shkalla e papunësisë për tremujorin e tretë 2020 në Kosovë ishte 24.6 për qind, ku më e theksuar ishte te femrat me 33.1 për qind, krahasuar me meshkujt që ishte 21.5 për qind.
Kështu thuhet në Anketën e Fuqisë Punëtore të prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, duke shtuar se shkalla e punësimit ishte 30.1, punësimi me i lartë ishte te meshkujt me 46.2 për qind, kurse te femrat 14.4 për qind.
Sipas raportit, përcjell Telegrafi, femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor me 49.7 për qind, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 46.5 për qind.
Sektorët e ekonomisë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 17.2 për qind, ndërtimtaria me 13.3 për qind, prodhimi me 11.3 për qind, si dhe arsimi me 9.1 për qind.
Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 42.1 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore.
Fuqia joaktive ishte mjaft e lartë, me 60 për qind me fokus të veçantë te femrat me 78.5 për qind krahasuar me meshkujt me 41.1 për qind.
Në anketën e fundit të “Pulsit Publik” të Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), papunësia llogaritet si njëri problemet me të cilat ballafaqohet Kosova.
“Një përqindje e madhe e të anketuarve vazhdojnë të identifikojnë papunësinë, korrupsionin dhe varfërinë si tre problemet themelore me të cilat përballet aktualisht Kosova. Problemi më i madh për 37.2 për qind të të anketuarve është papunësia, e ndjekur nga korrupsioni me 23.5 për qind dhe varfëria me 15.3 për qind”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.
Po ashtu, Instituti për Studime të Avancuara GAP thotë se pandemia COVID-19 ka lënë mbi 37 mijë qytetarë të Kosovës të papunë.
GAP thotë se vetëm në muajin prill janë regjistruar gjithsej 32,377 punëkërkues të rinj, duke bërë që numri i përgjithshëm i punëkërkuesve në Agjencinë e Punësimit të shkojë në 37,392 në katër muajt e parë të vitit 2020.
Një pjesë e madhe e tyre apo 16,820 janë gra. Marrë parasysh pjesëmarrjen shumë të ulët të aktivitetit ekonomik të grave dhe barrierat tjera në punësim, shkalla e papunësisë në mesin e grave mund të rritet edhe më shumë.
“Të dhënat nga Administrata Tatimore e Kosovës tregojnë se industritë të cilat punësojnë më së shumti punëtorë në Kosovë – ajo e tregtisë me shumicë e pakicë, e ndërtimtarisë dhe industrisë përpunuese, shënuan rënie të madhe të punëtorëve gjatë periudhës janar-mars 2020. Përderisa në mars të vitit 2019 në industrinë e tregtisë me shumicë e pakicë punonin rreth 8 orë.