10 mijë nxënës më pak në shkollat e Kosovës për vetëm një vit
Numri i nxënësve në vitet e fundit është duke shënuar rënie të vazhdueshme. Prej vitit 2016 e deri më sot janë mbi 34 mijë nxënës më pak, ndërkaq vetëm në vitin e fundit numri ka rënë për 10 mijë. Ekspertët vlerësojnë se kjo është pasojë e ikjes së qytetarëve jashtë vendit, por edhe e rënies së natalitetitJanë 10 mijë e 270 nxënës më pak këtë vit në nivelin parauniversitar në Kosovë sesa në vitin shkollor 2019/2020. Sipas një raporti zyrtar të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, një vit më parë kanë qenë 345 mijë nxënës, derisa këtë vit janë 335 mijë. E, nëse krahasohet me vitin shkollor 2018/2019 i bie se në dy vjetët e fundit Kosova ka 21 mijë nxënës më pak.Në shkollën e mesme “28 nëntori” në Prishtinë, prej shtatorit deri në dhjetor, e kanë lënë shkollën 42 nxënës, raporton KOHA.Drejtoresha e kësaj shkolle, Fakete Duraku, ka shprehur shqetësim për këtë çështje, teksa ka treguar se shumica e këtyre nxënësve kanë emigruar jashtë vendit.“Ne si shkollë jemi shumë të shqetësuar sepse kemi rënie të madhe të nxënësve në tre vjetët e fundit të vitit shkollor. Realisht, në këtë vit shkollor, vetëm prej shtatorit e deri në dhjetor, i kemi 42 nxënës që e kanë lëshuar shkollën, domethënë është një shqetësim i madh, ndërsa në vitet e tjera ka edhe më shumë. Shkaqet i kemi identifikuar si shkollë. Ndër to është edhe migrimi”, ka thënë ajo.
Për njohësin e çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, statistikat e fundit të MASH-it për uljen e numrit të nxënësve janë alarmante. Ai ka thënë se ndër shkaqet kryesore janë emigrimi masiv në vitet e fundit, por edhe rënia e natalitetit.“Institucionet janë fatkeqësisht promotorët kryesorë të emigrimit të popullatës në Kosovë. Kjo ndodh për shkak të keqmenaxhimit të parasë publike, keqpërdorimit të fondeve e humbjes së shpresës së ofrimit të shërbimeve që nuk përkojnë me realitetin për qytetarët, nepotizimi e të tjera. Institucionet duhet që këto fenomene t’i ndalojnë në mënyrë që të mos stimulohet emigrimi i mëtutjeshëm”, ka shtuar Osmani.Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Arsimit, nga viti shkollor 2016/2017 e deri më sot janë mbi 34 mijë nxënës më pak.Më së shumti rënie vërehet te shkollat e mesme të ulëta dhe shkollat e mesme të larta.Në shkollat e mesme të ulëta në vitin shkollor 2018/2019 kanë qenë 234.590 nxënës, kurse këtë vit janë 229.704.Ndërkaq, në shkollat e mesme të larta kanë qenë 77.907 nxënës, kurse tani janë 74.387.Sipas raportit të këtij viti të Ministrisë së Arsimit, në Kosovë janë gjithsej 1.058 institucione edukative – arsimore publike. Prej tyre, 776 institucione amë dhe 282 paralele të ndara.