ME PDK-NË NË QEVERI – BIZNISMENËT DO TË JENË HERONJTË E NDËRTIMIT TË KOSOVËS!
Pjesë nga takimi me Prof. Dr. Enver Hoxhaj, kandidat për Kryeministër të Kosovës
Një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, kandidati për Kryeministër i Kosovës nga radhët e PDK-së, i shoqëruar me nënkryetarët e PDK-së: z. Shaqir Totaj dhe Memli Krasniqin si dhe me kandidatët për deputetë për Parlamentin e Kosovës: Nezir Çoçaj, Kujtim Gashi, Luljeta Veselaj – Gutaj, Kadri Kryeziu, Gresë Baraliu, Veton Firzi, Kastriot Krasniqi dhe Alban Bislimaj, zhvilluan një bashkëbisedim me përfaqësuesit e bizneseve të qytetit të Prizrenit. Prof. Dr. Enver Hoxhaj, duke i falënderuar përfaqësuesit e bizneseve të Prizrenit, e ka filluar bashkëbisedimin duke theksuar se “Ne na ka marrë nëpër këmbë Gjykata Speciale, ndërsa ne e kemi marrë përsipër #Rimëkëmbjen e Kosovës. Programi i PDK-së, nuk është program i hartuar në zyrat e partisë, por është i hartuar dhe i mbështetur nga bashkëbisedimi me secilin nga ju gjatë këtyre muajve, që po e përjeton rënien ekonomia të vendit tonë.” Hoxhaj në vazhdim ka theksuar se programi zgjedhor i PDK-së mbështetet në pesë shtylla kryesore: 1. Në zhvillimin ekonomik; 2. Në shëndetësi; 3. Në sundimin e ligjit; 4. Në arsim dhe 5. Në politikën e jashtme, që t’i përmbyllim proceset e nisura drejtë integrimeve të vendit në BE dhe për sigurimin e ulëses në OKB. Hoxhaj, më pas duke u ndalur në bashkëbisedim me biznesmenët e Prizrenit ka shtuar se “ekonomia është një formë e re e të menduarit, sepse bizneset janë baza e një shteti dhe për të ndodhur kjo duhet të kemi parasysh stabilitetin makrofiskal, rregullimin e çështjeve të tatimeve dhe zvogëlimin e procedurave burokratike.” Në vazhdim Hoxhaj, është zotuar se nëse populli i’a beson votën e tij, që të jetë Kryeministër i vendit, ndër veprimet më të ngutshme do të jetë krijimi i një fondi të madh në rreth 1 miliard €, që do të krijohet nga grandet e ndryshme e që do të shfrytëzohet ekskluzivisht për rimëkëmbjen e bizneseve. Pastaj prioritet i yni do të jetë themelimi i Gjykatës Ekonomike dhe riaktivizimi i Bordit për ankesa. Në Qeverinë që do ta drejtoj unë, biznismenët do të jenë heronj të ndërtimit të Kosovës, ndërsa partitë rivale bizneset po i quajnë oligarkë. Hoxhaj, në shpalosjen e programit të #Rimëkëmbjes, ka potencuar se nëse në një shtet nuk ka ekonomi të zhvilluar, nuk ka as demokraci të avancuar, prandaj zgjedhjet e 14 shkurtit, janë historike. PDK-ja të gjitha zotimet që i ka dhënë deri më tash i ka realizuar dhe u premtoj se edhe këtë herë do t’i realizojmë. Ai më pas ka përmendur disa nga investimet më të mëdha që janë bërë në Kosovë, si: infrastruktura, ndërtimi i objekteve shkollore, rritja e pagave, hapja e universiteteve etj. Në anën tjetër Nexhmedin Hoti dhe Ymrane Fusha, përfaqësues të bizneseve prizrenase kanë shtruar disa kërkesa, të cilat duhet t’i marrë parasysh, siç janë çështja e arkave fiskale, zona industriale dhe mbrojtja e prodhimeve vendore. Prof. Dr. Enver Hoxha, në lidhje me këto shqetësime të ngritura nga ana e zejtarëve është zotuar se këto shqetësime gjatë qeverisjes sa do ta drejtojë ai, do të jenë çështje të mbyllura në interes të bizneseve, sepse ne do të bashkëqeverisim me bizneset dhe kërkesat e juaja do të zgjidhen duke qenë edhe ju pjesë e qeverisjes së PDK-së.
Zyra për informim e PDK-së!