Rrëfimi prekës i komandantit të Njësisë Speciale: Tri herë u infektova me COVID, luftova për jetë
Amir Gërguri, komandant në Njësinë Speciale të Kosovës ka thënë se edhe para se të paraqiteshin rastet e para me COVID-19, Policia kishte kryer përgatitjet e duhura për menaxhimin e situatës. Ai kishte rezultuar pozitiv me COVID-19 tri herë. Ai ka thënë se personalisht ka pasur njohuri lidhur me virusin, pasi kishte lexuar në vazhdimësi rreth pandemisë. Sipas Gërgurit, ndryshimi i masave çdo ditë në kohën kur u shfaqen rastet e para me koronavirus, ishte sfidë për Policinë. “Në aspektin ligjor Policia është e mbuluar shumë mirë. Ne i kemi ligjet për menaxhimin e emergjencave shëndetësore, por kjo situatë nuk ka shans të menaxhohet vetëm me Policinë sepse puna në terren kërkon bashkëpunim me të gjithë madje edhe me qytetarët. E keqja e kësaj ka qenë sepse edhe policët kanë qenë të prekur me koronavirus. Ka pasur një varg sfidash”, ka thënë ai.Ai ka thënë se si shoqëri nuk ka pasur përgatitje të duhur për përballje me pandemi.“Shpesh herë në opinion flitet për pjesën e mantelbardhëve që janë në frontin e parë e harrohet që pjesa më e goditur janë policët. Është e vërtetë që mjekët i kanë trajtuar pacientët por policët i kanë trajtuar të gjitha shtresat e shoqërisë”, ka thënë ai.Gërguri ka rrëfyer përvojën e tij që prej infektimit me koronavirus. Ai ka thënë se para se të infektohej nuk ishte prekur asnjëherë nga ndonjë sëmundje më e rëndë.“Jam infektuar në fillim të muajit korrik. Diku më 5 korrik kam ndje lodhje dhe dhimbje të fytit. Jam konsultuar me stafin shëndetësor dhe kam kryer testimin e pastaj rezultova që jam pozitiv. Për shkak që jetoj me familjen, pas infektimit tim, janë testuar të gjithë dhe përveç djalit, të gjithë kanë dalë pozitiv. Në ditët e para nuk ka qenë e rëndë, por dita e katër deri në ditën e nëntë ka qenë ferr i vërtetë. Në ditën e pestë vlerat që kanë dalë nga analizat kanë qenë shumë keq. Për tri ditë kam pasur temperaturë mbi 40 gradë. Për 12 ditë nuk kam ngrënë ushqim”, ka thënë ai në KTV.