Në Ditën e Evropës, Kosova kërkon liberalizimin e vizave
Krerët e institucioneve dhe liderët e opozitës kanë bërë thirrje që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja e lirë në BE. “Tradicionalisht në këtë ditë, institucionet e BE-së i hapin dyert e tyre për publikun. Ka ardhur koha që ato t`i hapin dyert e tyre për Kosovën”, ka thënë Presidentja Vjosa Osmani.Ajo shtoi se BE-ja duhet të mbajë fjalën për liberalizimin e vizave, ndërsa Prishtina duhet “të bëjë përgatitjet e nevojshme për aplikim për statusin e shtetit kandidat”.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi ka uruar për Ditën e Evropës, ka thënë se për njerëzit në Kosovë, Bashkimi Evropian është më shumë se institucion.“Në Ditën e Evropës, le të ndalemi për një moment dhe te reflektojmë mbi idealet dhe idetë e themeluesve të BE-së dhe tonat, që të shohim se si matemi. Për njerëzit e Kosovës, BE-ja është më shumë se struktura dhe institucione; janë vlera dhe vizion i cili duhet shpërndarë”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Twitter.Thirrje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, bëri edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Sipas Konjufcës, Kosova ka orientim të “palëkundur” drejt familjes evropiane dhe ka kritikuar BE-në se është vonuar sa i përket integrimit evropian të Kosovës. “Kjo ëndërr gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një zhgënjim kolektiv,” u shpreh Konjufca.Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, në Ditën e Evropës ka akuzuar LVV-në për çështjen e liberalizimit të vizave, por kritika ka pasur edhe në adresë të BE-së. “Edhe 9 maji i vitit 2021, Dita e Evropës, e gjenë Kosovën pa liberalizim të vizave, pa status të kandidatit dhe fatkeqësisht, pa rrugë të qartë për të ardhmen evropiane… Po ashtu, edhe vetë BE-ja është vonuar në përmbushjen e premtimeve dhe obligimeve karshi qytetarëve të Kosovës, posaçërisht në liberalizimin e vizave”, ka shkruar Hoxhaj./