Vijnë në Kosovë edhe 3,510 vaksina Pfizer
Ministria e Shëndetësisë ka pranuar kontingjentin tjetër të vaksinave kundër COVID-19. Në një përgjigje për Telegrafin, nga Ministria e Shëndetësisë kanë shpjeguar se ky kontingjent është pjesë e asistencës së Bashkimit Evropian për Kosovën në sigurim të vaksinave. “Divizioni i Komunikimit me Publikun ju konfirmon se Ministria e Shëndetësisë ka pranuar mbrëmë kontigjentin e radhës prej 3510 vaksinave të Pfizer, pjesë e asistencës së BE-së për Kosovën në sigurimin e vaksinave kundër COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSH-së. Ndryshe, një ditë më parë Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar e deri të hënën vaksinën antiCOVID e kanë marrë 46.097 qytetarë. MSH përmes një njoftimi për media thotë se me punën e çmuar të ekipeve të vaksinimit, të dielën janë kryer 4229 vaksinime, ku totali shkon në 46.097 qytetarë të Republikës së Kosovës të moshës mbi 65 vjeçare. “Procesi i vaksinimit për personat mbi 65 vjeç po vazhdon përmes caktimit paraprak të termineve për qytetarët, të cilët janë regjistruar dhe kanë aplikuar përmes platformës e-Kosova, të cilët kontaktohen dhe ftohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga QKMF-të në komuna, sipas listave të tyre në dispozicion, dhe po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga në të gjithë vendin”, thuhet në njoftimin e MSH-së. /