E konfirmon Qeveria: Javën e ardhshme vijnë edhe 3500 vaksina anti-COVID
Deri në fund të muajit në Kosovë pritet të arrij edhe një kontingjent prej 139 mijë vaksinash, kurse qeveria njofton se mbi 3500 vaksina do të vijnë në vend si donacion gjatë javës së ardhshme. Kjo e diel ishte ditë pushimi edhe në sallën “1 Tetori” aty ku janë vaksinuar personat e moshave të shtyra duke e çuar në mbi 56 mijë numrin e përgjithshëm të të vaksinuarve kundër Covid-19. Ndërkohë qeveria e vendit vazhdimisht është kritikuar për numër të vogël të të vaksinuarve. Megjithatë nga ekzekutivi kanë deklaruar se javën që po vjen do të pranojnë edhe 3510 doza të vaksinës.“Planifikojmë dhe presim që deri në fund të muajit të kemi në total edhe 139 mijë vaksina, ashtu që të mirëmbahet procesi i vaksinimit pa ndërprerje dhe të përmbushet synimi ynë për vaksinim të qytetarëve”, tha Kryeziu për RTK-në. Sipas tij, qeveria synon edhe të blejë vaksina dhe jo vetëm të pres donacione. Mbi 3500 doza të vaksinës Pfizer kundër koronavirusit në fillim të këtij muaji kanë ardhur në Kosovë si donacion i Bashkimit Europian. Ndërkohë pritet që të hënën 500 punëtorët të cilët janë vaksinuar në Kukës me datë 20 dhe 21 mars të paraqiten në sallën “1 Tetori” për të marrë dozën e dytë të vaksinës Astra Zeneca.