GJENERALI I PENËS DHE I ATDHETARISË (Dhjetë vjet pa Teki Dervishin)

0

                       Gjithë njerëzit e kësaj bote jetojnë dhe shkojnë në amshim mirëpo, në këtë super vlerë njerëzore ata që edhe pasi kalojnë në botën tjetër, mbesin të pavdekshëm janë pak, madje shumë pak, sepse për të qenë të përjetësisë duhet lënë prapa vepra dhe kujtime të veçanta, te mira dhe të vlershme që mbesin si kapital i përhershëm për brezat e mëvonshëm. I këtillë pa fije dyshimi është Teki Dervishi, shkrimtari, dramaturgu, publicisti dhe intelektuali atdhetar, që jetoi e veproi si i ka hije një kolosi shqiptar të fundshekullit njëzet, gardian i ruajtjes se dinjitetit te nëpërkëmbur të shqiptareve në kohën dhe rrethanat kur Kosova kishte aq shumë nevojë për mendjet e urta e të ndritura, që do t’ia ruanin nderin dhe ngrisnin dinjitetin.

Kam pasur nderin qe Teki Dervishin ta njoh dhe të punojmë bashkë si mësues, e më vonë si gazetar, pas kthimit të tij nga burgu famëkeq i Goli Otokut, ku ishte syrgjynosur që kur ishte vetëm 17 vjeç̧! Pas daljes nga burgu, pushteti e shpall armik dhe e mbanë të lëçitur. Mirëpo, një burr tjetër i madh i arsimit dhe atdhetarisë, Avdyl Kelmendi nga Balinca e Klinës, që ishte drejtor shkolle, merr guximin që Tekiut t’ia ofroj ditarin e arsimtarit, në shkollën fillore “Mustafa Bakija” në Carrallukë të Malishevës. Kjo shënon kthesën e madhe jetësore të Tekiut, i cili i pajisur me edukatë të mirëfilltë kombëtare dhe me njohuri të gjera kulturore e arsimore, bëhet një pishtar i fuqishëm i dritës, i ngjashëm me Migjenin dhe i rreket punës për ta luftuar mjerimit e kohës! Ndonëse kanë kaluar më shumë se 50 vjet, Tekiu mbetet arsimtari më i paharrueshëm për qindra nxënës të Carrallukës, me rrethinë, që e kujtojnë me pietet të lart dhe krenari që e kishin mësues,

Edhe më virtuoz Tekiu shfaqet pas vitit 1972, kur emri i tij bëhet i mirë njohur si krijues me botimet letrare e publicistike. Tekiu rrezaton intelektualizëm dituror dhe kjo nuk është e dëshiruar nga pushteti i kohës, që idetë e Teki Dervishit i quan të rrezikshme për pushtetin dhe, për ta larguar nga rrethi i miqve dhe shokëve të vendlindjes, dhe për ta mbajtur nën mbikëqyrje me të fort, ia lejon punësimin në Shkup të Maqedonisë, në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” që ishte e kontrolluar rreptë nga pushteti maqedonas. Tekiu i vetëdijshëm për rrethanat e reja në të cilat ndodhet, është i “kujdesshëm” me gazetari, por, i përqendrohet me shumë sukses letërsisë dhe, sukseset janë të larta. Pas vitit 1974, për fat ndodh forcimi i autonomisë së Kosovës dhe shumë njerëzve të ndjekur nga Kosova, u mundësohet kthimi! Kthehet edhe Tekiu nga Shkupi në Prishtinë në vitin 1984, dhe kjo është koha e art krijuese e tij. Një penë që shkëlqen në krijimtari letrare dhe që djeg si rrufe në publicistikë, duke demaskuar “…nekrofilinë gjenetike sllavo-staliniste (urrejtjen politike) të paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit…” që pushteti sllavo komunist jugosllav bën kundër shqiptarëve. Tekiu është një kështjellë e fort, një princ me shpatën e mprehtë që demaskon fuqishëm pushtetin e huaj dhe injorancën kombëtare, duke qenë një udhërrëfyes i shkëlqyeshëm i filozofisë së re të kohës, demokracisë perëndimore, asaj amerikane, që ky e konsideron të vetmen udhë të shpëtimit.

Lexuesve padyshim ende u kujtohen shkrimet e Tekiut, kur ky ishte në krye të gazetës “Bota sot”dhe kjo gazetë shënonte kulmin e sukseseve si gazetë e vërtetë kombëtare! Gjithashtu, Tekiu mbahet mend edhe si drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Në të dy këto institucione, pena moderne e Tekiut krijon art dhe përhap ndërgjegjësim, duke luftuar kundër imjorancës dhe urrejtjes, duke demaskuar pseudointelektualët dhe atdhetarët e shpifur që për interesa personale bëheshin lecka të pushtetit! Trim dhe këmbëngulës Tekiu qëndroi deri në frymën e tij të fundit, prandaj, ikja e tij la zbrazëti të madhe, sepse shkoi kur më së shumti i duhej Kosovës! Mirëpo, vdekja e ka udhën e saj të pandalshme. Prandaj, vdekja e Tekiut ishte e bardhe, sepse tërë jetën ka vepruar e qëndruar si gjeneral dhe i tillë ka vajtur në amshim! Teki Dervishi është personalitet i panteonit të krijimtarisë dhe të atdhetarisë së pastër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *