E diela poetike me poeten ;Zade Kuqi
Ç’KE MUNDUR TË VESHËSH NJË DITE SI KJO?
————————————————————
Ç’ke mundur të veshësh një dite si kjo?
Pate ndonjë kujtim të çuditshëm, harruar diku
mes pluhuri të rrugëve të shkreta, të largëta.
Ç’dëshirë pate, pas një natë me shumë akte drame,
kur diellin pe prapë në agim?
Të lumtur kush të bëri sot,
ndërsa unë kam ecur gjatë,
thonë se pritja dhe vdekja janë të ftohta,
kanë një rezistencë brenda tyre, ashtu si prishen shinat
që nuk do kalojnë shpesh trenat mbi ata,
shkova me ble qershi, nën diellin e fortë të së martës,
blirët ende para korrikut kishin çelur lulet dhe lëshonin
erë kundërmimi të këndshëm, sikur puthja kur prapa
shpine hedh kodrat, por athua të panjohur për Ty?!
Si Homo Sapiensi, kërkoja të shkelja tokën me këmbë,
ndoshta do të zbusja disi habinë e zemrës që kohët sot
kanë humbur ngjashmërinë me njeriun dhe ujët
shushurinë kotësira të dhembshme me brigjet.
Diku kryqëzohem me eskortë xhipash të zinj qeverie,
shkonin me të shpejtë arash të uzurpuara,
të rimbillnin me pikëllim ditësh një muzg ende më të zi
që po rinis… e ti dikur të më thoje, “çdo gjë, me vlerë
është kaq e bukur”, por unë asesi nuk e gjej mesin
e artë të kuptimit, thuase ai mund të ekzitojë?!