VAR-i poli(e)tik: Sharmi i absurdeve tona-Nga Nazmi Elezi
A u kënaqët? Dy muaj verë, çfarë veç mund të ëndërrohej. Shumë vapë. Shumë bashkatdhetarë. Shumë çmallje. Shumë dasma. Shumë bakshishe për estradën e etur për para. Shumë atmosferë. Shumë selfie nga plazhet e pishinat e hoteleve në bregdetin shqiptar, turk e malazez.Shumë virus. Por, edhe verë përcëlluese edhe politike.Në tërë këtë vapë, shumë ethe e ankth. Jo edhe aq për Bregoviqin në Korçë, as për fatin e “Open Balkan”, por për fatin e pretenduesve lokalë politikë.Dhe, erdhi 16 gushti. Hyri kush hyri në lista, mbeti kush mbeti jashtë.Ata që patën fatin të hyjnë në lista zgjedhore, qoftë për kryetar komunash, qoftë për asambleistë, do të vazhdojnë të djersiten duke kërkuar votën, me maska e pa maska. E, ata që nuk e patën këtë fat, dikush nga mllefi do t’ia mësyjë i pavarur, e dikush do ta shajë pak ‘partinë e vet’ dhe do të ndërrojë kamp politik, me sloganin tradicional “atje nuk gjeta hapësirën e duhur”. Edhe kanë të drejtë, se secilën herë ma ngushtë po bëhet.
Nejse.
Pas krejt këtij kokteji dhe kënaqësisë dy mujore, në të cilin përfituesi më i madh ishte varianti Delta i koronavirusit, Qeveria tregoi seriozitetin dhe nivelin e përgjegjësisë dhe tha “bolla ma”.Sado i dhimbshëm të ishte, Qeveria Kurti mori vendimin për rikthimin e ‘normalitetit’ anti-Covid në vend.Për disa ditë s’do të ketë shfrenim e tymosje në diskoteka, as dasma e kanagjeqa. Kjo do s’do të kalojë pa pasoja mallkimi të tipit: “A të thashë e kryejmë dasmën ma herët. S’kemi pas nevojë me prit bacin derisa të vijë prej Anglie e agën prej deti. Qe tash çka u bo. Dasma në bisht të sorrës”.
Ne themi “qejfi ma i madh se Stambolli”. E, prej tash, mundemi “qejfi ma i madh se virusi”.Në krejt këtë rikthim masiv e të dhimbshëm të virusit, me viktima, dhe që ka mbushur spitalet me pacientë, dikush do të thotë se po humbim të gjithë, por jo. Zakonisht, në fatkeqësi, dikush përfiton shumë. Në këtë rast ata janë farmacistët.
Një ilustrim i vockël. Në korrik të vitit 2020, kur koronavirusi ishte në kulm, një oksimeter (aparat për matjen e oksigjenit në gjak dhe për matjen e rrahjeve të zemrës), kushtonte 32 euro. Pas gjashtë muajsh, duke menduar se virusi shkoi, tregtarët farmaceutikë, për t’i hequr nga stoqet, i ofronin dy oksimetra për 14 euro. Pra, prej 32 euro, ra në shtatë euro, bile t’i jepnin edhe dy bateri falas (s’e besoj se i shitnin ma lirë se i kanë blerë). Terapia anti-Covid dhe çmimi saj është edhe një tregim në vete.
Nejse.
S’ndalohet biznesi, as me virus. Pse jo edhe me jetë njerëzish. Temë tjetër kjo se mund të akuzohem për konspiracione të tipit të injektimit të çipave përmes vaksinave.
E, kur jemi te vaksinat. Apelet vijnë gjithandej: Vaksinohu!
Veç apeli më absurd ishte i kryesindikalistit të arsimit në Kosovë. “Le të vaksinohemi, le ta kemi gojën çelë për t’i kërkuar kërkesat tona që janë legjitime…”!
Pra, ai nuk kërkoi që mësimdhënësit të vaksinohen për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të nxënësve, dhe që procesi mësimor të fillojë normalisht në shtator, por që të jenë ballëhapur në kërkesat e tyre, të cilat veç me cilësi në arsim s’kanë të bëjnë.
Nejse.
Me masat e (pa)pritura të Qeverisë nuk u pajtua as Oda e Afarizmit të Kosovës.
Ata kërkuan nga kryeministri Kurti që hyrja në fuqi e vendimit lidhur me masat e reja anti-Covid të shtyhet së paku deri me datën 15 shtator 2021, në mënyrë që, sipas tyre, qytetarët ashtu edhe bizneset të kenë mundësi dhe hapësirë kohore të parapërgatiten për këto ndryshime.
Edhe kësaj duhet t’i ‘gjëmohet’!
Vend i vakive jemi ne. Këta zotërinjtë që përfaqësojnë afaristët e Kosovës mund edhe të kenë të drejtë, sepse nëse vazhdon me këtë trend të përhapjes së virusit, deri më 15 shtator s’do të kemi nevojë t’i mbyllim bizneset, as t’i hapim shkollat.
Ky është sharmi i budallallëkut tonë.
Këto janë absurdet tona.
Këta jemi ne.
Megjithatë, nëse nuk doni ta zëvendësoni shtratin e dhomës tuaj me të spitalit dhe në vend të marketeve të vizitoni farmacitë, atëherë vaksinohuni dhe bartni maskën!