Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlerë e shtuar mbi vlerat më të mira të Kosovës tash e rreth 2500 vjet Shkruan;Bashkim Hoxha,analist politik
Mendoj se është koha që Kosova të mobilizohet më shumë. Në Hagë tani e katër ditë e kemi presidentin që po intervistohet nga prokuroria për krime lufte. Gjendemi në një fazë të paqartësive të theksuara politike, diplomatike e me premisa pothuaj të frikshme në aspektin e marëdhënieve ndërkombëtare. Ndërprerja e dialogut në Shtëpinë e Bardhë, pavarërësisht asaj që mund thuhet dhe po thuhet se procesi do të vazhdojë normalisht e i palënduar, nuk mendoj se një narrativë i tillë qëndron. Personalisht ndaj opinionin kjo që ndodhi, respektivisht publikimi i aktakuzave ndaj dy drejtuesëve më të rëndësishëm të UÇK-së në prag të rifillimit të dialogut, madje në momentin kur presidenti Thaçi ndodhej në aeroplan duke udhëtuar drejtë Shtëpisë së Bardhë, përbën preçedentin pabesueshmërisht më të mynxyrshëm dhe të mbarsur me elemente të qarta “pabesërie komplotiste” në adresë të procesit politik të Kosovës si dhe rolit protagonist ndërmjetësues të SHBA-ve. Kjo që po them nuk ka të bëj në asnjë trajtë me kahje apasioniste për të prodhuar tymnaja konspiracioniste. Kemi të bëjmë me një akt të tejdukshëm dhe lehtësisht të kuptueshëm përkitazi me konstatimin e sipërthënë.
Kosova, përkatësisht institucionet e saja, pozitë dhe opozitë, shoqëria civile… për mendimin tim pa dashur ta ekzagjeroj problemin, gjendja është kjo që është, duhet t’iu qasen me më seriozitet konstelacioneve rrethuese për të dalur nga kjo gjendje konfuze dhe me gjasa të largëta optimale rikuperimi. Ndasitë për çështje meskiniteti politik nuk na duhen në këto rrethana. Nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Protagonisti kryesor që nga dalja në skenë e UÇK-së: Rambujeja, Parisi, Vjena, shpallja e pavarësisë, Brukseli, Vashingtoni … na pëlqeu ose jo, është e pamundur t’i shmangemi një emrit të quhet Hashim Thaçit. Ndaj tij si themelues dhe drejtues si drejtor politik dhe bashkëthemeluesit tjetër të UÇK-së Kadri Veselit, janë ngritur aktakuza nga më të palogjikshmet dhe më të pabesueshmet për mendjet normale njerëzore. E gjithë kjo maskaradë thashethemesh e hartuar mbi bazën e thashethemeve, të një mbledhësi poashtu thashethemesh, Dick Marti. Asnjë fakt nuk është dokumentuar mbi atë që thuhej për shtëpinë e verdhë. Atëhere si është e mundur vallë të ngriten akuza mbi diçka që nuk është vërtetuar; mbi diçka që nuk ka ndodhur; mbi diçka abstrakte, inekzistente. Janë tingëllimë e vrazhdë disonante në shpërputhje me realitetin faktik deklarat e disa politikanëve sharlatan për kinse nuk po gjykohet UÇK-ja, qëllimi i të cilëve pa ekuivoke konsiston në krijimin e opinionit zhvlerësues ndaj hierarkisë drejtuese dhe komanduese të UÇK-së.
Nërkaq, mbrojtja më e mirë e vlerave të luftës, sipas mendimit tim duhet të ndodhë. Të bëhet nëpërmjet institucioneve tona të cilat janë votuar dhe paguhen prej taksave të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlerë e shtuar mbi vlerat më të mira të Kosovës tash e rreth 2500 vjet. Kjo duhet të thuhet. UÇK e ka shkruar me gjak historinë më të re të kombit shqiptar. UÇK ka luftuar për ta mbrojtur popullin e Kosovës dhe jo vetëm shqiptarët.
Sot falë luftës së UÇK-së dhe faktorit ndërkombëtar respektivisht NATO-s me në krye SHBA-të; përveç shqiptarëve, edhe boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptasit, goranët, pse jo edhe ajo pjesë e serbëve që e njeh Kosovën si shtëpi të tyren … janë përfituesit më të mëdhenj të lirisë e të pavarësisë. Jetojnë të barabartë, ndoshta të veçuar në aspekte pozitive në raport me shqiptarët shumicë që përbëjnë mbi 95 % të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Andaj fushata denigruese, linçuese, diskredituese … e me qëllime djallëzore tash e 20 e kusur vjet, përveç se është antihistorike, jologjike, johumane; më tepër antishqiptare e me prapavi mjaftë dyshuese në kuptimin deverziv dhe subverziv të lansuara dhe mbase të financuara nga qarqe anti-pavarësiste kundrejt Kosovës. Në botëkuptimin filozofik, shkencor, human, sociologjik, ushtarak … UÇK, sa ka zhvilluar luftë kombëtare çlirimtare aq dhe moderne. Në asnjë rrethanë nuk ekzistojnë raste të ketë vrarë njerëz civil të ndonjë nacionaliteti, përkundrazi i ka mbrojtur aq sa ka mundur në kushtet e një lufte thellësisht të pabarabartë kundruall makinerisë vrastare e gjenocidiste dhe të armatosur rëndë të ushtrisë, policisë, shërbimeve sekrete, njësive të rregullta shpesh të kamufluara si të parregullta… të shtetit serb me në krye Sllobodan Millosheviçin.
Për mua tejet e paqartë, shpeshherë lemerisëse, kur shoh shqiptarë të moshave të ndryshme teksa shpërfaqin momente ngazëllimi kur komentojnë aktakuzat kundra shqiptarëve që luftuan, përkatësisht njerëzve që e themeluan dhe e drejtuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Me sa duket këto “sui generisët” përveç akteve ose proceseve juridiko-politike, po na përcjellin edhe si njerëz te shtresa të caktuara sociale. Absurditet i një lloji të veçantë që mund të përdoret si temë për studiues të ndryshëm . Prandaj, nën dritën e vijimësisë së ngjarjeve ku Kosova nuk është tërësisht imune nga ndikimet propagandistike nga jashtë saj, posaçërisht qarqeve serbo-ruse , institucionet e shtetit duhet të angazhohen në nxjerrjen dhe miratimin e ligjit që mbron vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës !/qendrapress.com/