Një rikujtim që duhet rilexuar- KRONIKA E NJË KRIMI TË PARALAJMËRUAR-Milazim KRASNIQI, Prishtinë, 18 tetor 2012
Meqë janë paralajmëruar bisedime të reja teknike e politike ndërmjet Kosovës e Serbisë, është me interes të rikujtohet historiku i bisedimeve të mëparshme dhe produkti i tyre dhe të skicohet pozita e akterëve të tashëm. Kjo gjë që e ndihmon edhe parashikimin se a mund të shpresohet për ndonjë shkrirje të konfliktit dhe lëvizje në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve, apo bisedimet e reja do të mund të prodhojnë përkeqësim të ri të këtyre marrëdhënieve.
Bisedimet e deritashme kanë prodhuar më shumë armiqësi
Bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë kanë një kronologji të gjatë e të ngatërruar, e cila nuk ka prodhuar deri sot as zbutje raportesh e aq më pak mirëbesim e paqe. Ja një kronologji e shkurtër: takimi pa ndërmjetës të huaj i Ibrahim Rugovës me Millosheviqin në vitin 1998, ndonëse i imponuar nga Riçard Holbruku, vetëm krijoi iluzione te komuniteti ndërkombëtar se çështja mund të zgjidhej me dialog, ndërsa Millosheviqit i dha një alibi të re që ta vazhdonte politikën e vet të dhunës e të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë. Në Kosovë ai takim nuk është analizuar asnjëherë realisht, për të kuptuar pasojat që ka tërhequr zvarrë dhe për t’u mbajtur shënim si një mënyrë fatkeqe dialogimi, e cila nuk duhet të përsëritet asnjëherë. Edhe pse takimi ka qenë i imponuar nga diplomacia amerikane, gjithsesi dashamirëse ndaj Kosovës, ai nuk ka mundur të prodhojë rezultat pozitiv, për shkak të pabarazisë ekstreme së pjesëmarrësve në atë takim. Çka mund të përfitonin përfaqësuesit e një populli duarthatë nga takimi me udhëheqësin e një shteti të armatosur deri në dhëmbë dhe të orientuar drejt luftërave agresive? Prandaj, kushdo që insiston edhe sot dialog a bisedime të palëve dukshëm të pabarabarta, rrezikon të bëhet pjesë e padrejtësisë, që do të prodhojnë ato. Bisedimet do të mund të ishin në raport më të balancuar forcash, nëse strukturat e Serbisë do të ishin larguar në mënyrë të verifkikueshme nga Kosova, para fillimit të bisedimeve, mbase ashtu si u larguan forcat serbe pas datës 12 qershor 1999, që do të thotë largimi i verifikueshëm i tyre do të duhej të bëhej nën mbikëqyrjen e KFOR-it. Në të kundërt, dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë, pa ndërmjetësim ndërkombëtar dhe pa balancimin e fuqisë së palëve, edhe sot e edhe në të ardhmen është i destinuar për keqpërdorim nga më i forti dhe më i pafytyri, që gjithsesi në këtë mes identifikohet me Serbinë.
Edhe bisedimet në Rambuje e në Paris, të cilat u ndërmjetësuan nga SHBA, BE dhe Rusia, rezultuan me refuzimin kokëfortë të Serbisë, gjë që solli eskalimin e tragjedisë së popullit shqiptar, në formën e spastrimit etnik dhe të gjenocidit serb. Kosova u shpëtua nga zhbërja totale vetëm falë bombardimeve të NATO-s. Por, armiqësia u thellua edhe më shumë për shkak të mizorive që bëri policia dhe armata serbe kundër popullsisë shqiptare, mizori të cilat deri sot nuk janë dënuar nga qeveritë e reja që qeverisën në Beograd. Përkundrazi, aktualisht në Beograd qeverisin partitë që e planifikuan dhe e realizuan spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër shqiptarëve në vitin 1999. Qeveria e tashme serbe më shumë është e motivuar për një version të ri hakmarrjeje ndaj Kosovës se sa për bisedime të sinqerta e në funksion të ndonjë marrëveshje paqësore.
As bisedimet e Vjenës nuk sollën marrëveshje, madje as uljen e mërisë e të armiqësisë, sikundër po mendonin diplomatët e OKB- së e të Brukselit. Plani Gjithëpërfshirës i Ahtisarit nuk u pranua nga Serbia, edhe pse paraqiste koncesione të mëdha e të rënda në dëm të shtetësisë së Kosovës, të cilat e kanë bërë këtë shtet mjaft jofunksional. Protestat vandale në Beograd e në pikat doganore të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, tmerruan botën me energjinë rrënuese, e cila e shkretëroi edhe vetë kryeqytetin serb. As dialogu teknik nuk solli asgjë konkrete në aspektin e rritjes së mirëbesimit e të paqes. Humbja e Tadiqit në zgjedhjet e majit 2012 është e motivuar edhe nga perceptimi se ai në atë dialog po lëshonte pe ndaj Kosovës. Në këtë sfond tash janë paralajmëruar bisedime të reja, të formatit politik. Sa i përket Serbisë, nuk ka të panjohura: qeveria e re do të përpiqet të hakmirret, me armën e këtyre bisedimeve, për ta gjymtuar ose edhe gjunjëzuar plotësisht shtetin e Kosovës. Përfundimisht, është e ditur se qeveria e Serbisë shpreson t’i shfrytëzojë bisedimet e reja për hakmarrje (sado të kamufluar si zgjidhje në tavolinë) e jo për zgjidhjen e konfliktit dhe për dhe arritjen e paqes.
Predsidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliqi, që në fillim të mandatit persidencial është shprehur edhe për opcionin e kthimit të Kosovës nën Serbi me anën e armëve: „Nëse ndokush e sulmon dhunshëm veriun e Kosovës, duhet ta ketë parasysh, se edhe Serbia mund ta ndjek të njëjtën rrugë, për ta kthyer Kosovën. Pra, kush është ai që në një rast e justifikon forcën e në tjetrin jo?“ Sipas tij, veriu i Kosovës nuk është pjesë e Kosovës, gjë që logjikisht do ta bëjë pozicionin serb shumë agresiv ndaj Kosovës edhe në bisedimet e radhës.
Kryefjala e frikshme e Serbisë
Deklaratat e deritashme të drejtuesve kryesorë të shtetit serb, presidentit Tomisllav Nikoliqit, kryeministrit Ivica Daqiqit dhe zëvendëskryeministrit e ministrit të mbrojtjes, Aleksandër Vuqiqit, shkojnë në këtë drejtim. Kryefjalia e tyre është: „Serbia kurrë nuk do ta pranojë Kosovën si shtet“, ndërsa variantet e tjera të politikës së persioneve e të shantazhit politik, janë të larmishme, me elemente të demagogjisë politike, për shkak të lojërave me Brukselin. Por, ato lojëra demagogjike nuk kanë pse e mashtrojnë askend, nëse nuk dëshiron vetë që të jetë i mashtruar. Pra, politika e Serbisë mbetet armiqësore, kërcënuese dhe minuese ndaj ekzistencës së shtetit të Kosovës edhe sot e edhe në të ardhmen. Prandaj, pyetja se si mund të zhvillohen bisedime të suksesshme e të arrihen marrëveshje me këtë palë, është legjitime dhe ende pa përgjigje. Megjithatë, Kosova ka nevojë urgjente që të kërkojë hapësira të dialogut e të bisedimeve, të cilat me ndihmën e faktorëve ndërkombëtar do ta frenonin ndërhyrjen brutale dhe minuese të Serbisë në territorin e saj dhe do të krijonin një ambient pak më normal për fokusimin e saj në procesin e integrimeve europiane. Për të përmbushur këtë nevojë urgjente, Kosovës i duhet ndihma e fuqishme dhe e sinqertë e Bashkimit Europian, në rend të parë. Pa presionin e vazhdueshëm të Bashkimit Europian, pa kushtëzimin prej tij të integrimit të Serbisë, nuk ka gjasa të ndalet ndërhyrja brutale e Serbisë në Kosovë dhe as të fillojë ndonjë proces normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Mirëpo, Bashkimi Europian në raport me Kosovën ka një krizë serioze të komunikimit e të përfaqësimit, për shkak se pesë shtete që janë anëtare të Bashkimit Europian, nuk e njohin Kosovën si shtet. Ndikimi i këtyre pesë shteteve ( Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë e Qipros, e cila paradoksalisht e kryeson BE-në në kulmin e krizës së eurozonës!) është evident në qëndrimin e BE-së ndaj dinamikës së integrimit të Kosovës dhe ndaj qëndrimit favorizues ndaj Serbisë. Me politikat e presionit të vazhduesëhëm ndaj Kosovës, duke e mbajtur si në karantinë, Bashkimi Europian, nuk mund të jetë partner i besueshëm i Kosovës, sepse interesat e tij janë më të mëdha në Serbi dhe në përpjekjet që ta mbajë Serbinë më shumë të lidhur pas qerres së Brukselit se sa pas qerres së Kremlinit. Ja një shembull i vogël për konkretizim: si mundet BE të motivojë serbët e veriut të Kosovës të integrohen me Prishtinën, kur në atë mënyrë do të jenë tërësisht të izoluar, ndërsa po qe se janë me Beogradin, e fitojnë lëvizjen e lirë pa viza në tërë Europën. Mos po mbahet e tërë Kosova peng i politikës europiane, që synon të mbajë me çdo kusht serbët në Kosovë, duke e mbajtur Kosovën të bllokuar e të izoluar? Sidoqoftë, deri sot Bashkimi Europian nuk ka dëshmuar as sinqeritet e as kapacitete të mjaftueshme për të gjetur një akord normalizmi të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Duke mbajtur gjendjen të ngrirë, gjërat vetëm sa mund të përkeqësohen në ndonjë zhvillim të papërshtatshëm, ku do të prishej statu quoja. E kjo mund të ndodhë nëse kriza e eurozonës zgjerohet dhe nëse Bashkimi Europian nuk arrinë të kompaktësohet e të fuqizohet si një lojtar global. Krahas tejkalimit të krizës së eurozonës, Bashkimi Europian e ka rastin të tregojë udhëheqje të vendosur edhe në oborrin e vet, duke ia imponuar rregullat e paqes në raport me Kosovën e me Bosnjën edhe Serbisë, kësaj pretendenteje për anëtarësim, që vazhdon të mbetet e padisiplinuar dhe minuese e prestigjit të BE-së.
Nëse Bashkimi Europian e lejon edhe më tutje ndërhyrjen brutale të Serbisë në Kosovë dhe në të njëjtën kohë e mban derën të mbyllur për Kosovën, kjo do të prodhojë inkurajimin e nacionalizmit serb për ta provuar formulën e vjetër të egërsisë serbomadhe, „osvetiti Kosovo“ (të hakmirremi për Kosovën). Ndërsa, kjo pashmangshëm do të prodhojë reaksionin e nacionalizmit shqiptar për „t’u hakmarrë ndaj serbëve plangprishës“ në veri, me çka do të mund të rrezikohej paqja e brishtë në tërë Ballkanin Perëndimor.
Dëmi nga gënjeshtra e motrës së zhvirgjëruar
Pozita e Kosovës nën administrimin e gjatë civil e ushtarak ndërkombëtar ka qenë mjaft e komplikuar, bukur e ngjashme me pozitën e Anhelës në romanin „Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar“, e cila dikujt duhet t’ia lërë fajin. Natyrisht, një pjesë të fajit për problemet e grumbulluara e konfuzionin e tashëm politik e kanë të tjerët, por një pjesë jo të vogël duhet kërkuar edhe te vetja. Fjala vjen, pasojat e krizave politike që prodhohen nga partitë tona, nuk mund t’u faturohen të tjerëve. Pikërisht në planin partiako-politik, edhe pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë Kosova është përballë një situate mjaft delikate dhe turbulente. Kërkesa e partisë më të madhe opozitare për rrëzimin e presidentes, (e përkrahur edhe nga „Vetëvendosje!“) në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që konstatoi legjitimitetin e saj në detyrë, mund të minojë stabilitetin e insitucioneve. Sot për sot nuk dihet se me çfarë kokëfortësie do ta kërkojë LDK-ja rrëzimin e presidentes, por nëse mbetet në këtë pozicion, atëherë ose do të ndodh bllokimi i reformës kushtetuese e zgjedhore, ose largimi i presidentes nga zyra dhe hyrja në një proces të ri zgjedhor. Natyrisht, të dyjat kanë rreziqet e veta për funksionalitetin e institucioneve dhe për stabilitetin e vendit.
Edhe në planin politik-partiak, skena është mjaft absurde: lëvizja „Vetëvendosje!“ proklamohet si luftëtare e mbrojtjes së interesit shtetëror të Kosovës, përderi sa vetë nuk e njeh as flamurin e as himnin e këtij shteti! Me këtë lojë të dyfishtë, „Vetëvendosje!“ realisht punon për minimin e institucioneve dhe për minimin e shtetit të Kosovës, për ta zëvendësuar shtetin që do të dështonte, me bashkimin e tij me Shqipërinë. Për ata që mendojnë pa emocione patriotike dhe pa hile politike, është jologjike që ta shkatërrosh një shtet të sapokrijuar, i cili ende nuk e ka realizuar sovranitetin e plotë, për t’ia bashkëngjitur mekanikisht një shteti tjetër, i cili për njëqind vjet të ekzistimit të vet nuk ka dëshmuar energji e vullnet të vërtetë për bashkim kombëtar. Kurrfarë analize nuk është bërë deri sot se cilat do të ishin gjasat e suksesit të atij bashkimi e madje as në çfarë forme do të ndodhte, në formë federalizimi, apo të krijimit të një shteti unitar shqiptar, duke e shtypur me dhunë identitetin e Kosovës. „Vetëvendosje“ asnjëherë nuk e ka publikuar strategjinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, prandaj tash për tash luan më shumë në terrenin e sabotimit të shtetit të Kosovës, jo edhe pa sukses. Kërcënimi i investitiorëve të huaj, poshtërimi publik i drejtuesve të shtetit (duke ua bllokuar telefonat, duke ua nxjerrë shtëpitë në shitje, duke ftuar për mosdëgjueshmëri qytetare), janë elementë të hapët të sabotimit të shtetit të Kosovës si të tillë, pra si shtet i pavarur. Fshehja e strategjisë për rrëzimin e shtetit, pas propagandës për keqqeverisje, mund t’i mashtrojë naivët, por jo edhe ata që kanë gjykim kritik për sjelljet dhe veprimet politike. „Vetëvendosje!“ duhet të heq maskën politike dhe ta shpall qartë strategjinë lidhur me shtetin e Kosovës dhe lidhur me bashkimin me Shqipërinë. Ashtu do të jetë në terren legjitim politik dhe moral: kush shkon me të, shkon nga bindjet e veta e jo për shkak të manipulimit me demagogji patriotike. Ndërsa, partia në pushtet, PDK, edhe pse ka proklamuar mirëqeverisjen, në shumë raste është e identifikuar me keqqeverisje, me abuzim të pushtetit, me tenderomani e me afera korruptive, të cilat e kanë njollosur në shumë raste edhe fytyrën e zbehtë të shtetit tonë të ri. Sado që të sforcojë muskujt që të korrigjojë gabimet në periudhën e mbetur, ajo nuk do të arrijë të ndryshojë esencialisht perceptimin e shumë qytetarëve për të si parti e identifikuar me keqqeverisje. Rastin e fundit mbase e ka pas heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë, me ç’rast u manifestua një shkallë më e lartë e unitetit politik e parlamentar, por e gjitha varet nga mënyra se si do të administrohet kushtëzimi i LDK-së për reformën kushtetuese dhe zgjedhore, që e ka lidhur me largimin nga zyra të presidentes Atifete Jahjaga. Ndërsa reformimi i LDK-së deri sot nuk ka prodhuar fuqizimin e saj, po përkundrazi sektarizim, gjë që mund të jetë me pasoja për të e për skenën politike të vendit në zgjedhjet e ardhshme. Kriza e AAK-së është e lidhur me fatin e liderit të saj në Gjykatën e Hagës, ndërsa epilogu i gjykimit të tij mund të jetë i lidhur, ndonëse me penj të padukshëm me kombinimet e ardhshme politike në vendin tonë. Gjithsesi, kjo tablo prezenton një fytyrë jo të pafajshme të politikës vendore. Të vendosura përballë njëra tjetrës më shumë si armiq se sa si partnerë, këto parti prodhojnë dobësinë e institucioneve, zhgënjimin e qytetarëve dhe nxijnë imazhin e shtetit tonë të ri.
Bashkimi Europian në rolin e nënës së Santiago Nasarit?
E shikuar në këtë sfond të dyerve të mbyllura të Bashkimit Europian dhe të problemeve institucionale dhe politike, që njëfarësoj janë të prodhuara edhe nga tejzgjatja e izolimit, fati i Kosovës, më ngjet me një subjekt të hidhur letrar: me disa elementë të romanit të Gabrie Garsia Markesit, „Kronika e një vdekjeje të paralajmëruar.” Meqë jam sigurt se shumica absolute e shqiptarëve kurrë nuk e kanë lexuar atë roman, po i lejoj vetes të bëj një digresion sqarues: Santiago Nasarin e ndjekin për ta vrarë, (për një zhvirgjërim, të cilin ai nuk e ka bërë) po ai arrin të ikën e të ikën, deri sa arrinë para portës së shtëpisë së vet. Por, aty ku duhej të gjente shpëtimin, e gjen fatkeqësinë finale: nëna e tij e kishte mbyllur derën me çelës nga brenda, për ç’shkak ai nuk arriti t’u shpëtojë thikave të ndjekësve të tij. Ndonëse ajo nuk e ka bërë me qëllim, rezultati është i njëjtë: vëllezërit Pablo e Pedro e arritën Nasarin dhe e therën si berrin në prag të shtëpisë së vet, meqë derën ia kishte mbyllur e ëma. Më rrënqethet trupi nga kjo figurë, qoftë dhe vetëm brenda përjetimit estetik. Pyetja torturuese është kjo: çka do të ndodhë nëse dera e BE-së vazhdon të jetë e mbyllur nga brenda për Kosovën, ndërsa ndërhyrja brutale e Serbisë kundër Kosovës shikohet me indiferencë, edhe pse është paralajmëruar qartë që Serbia synon zhbërjen e saj?! Deri sot nga Bashkimi Europian nuk ka pasur asnjë shenjë vullneti për të parandaluar krimin e paralajmëruar. Prandaj kjo është pyetje, ndonëse e hidhur dhe vetëm për ta bërë, më mirë të bëhet tash, kur ka kohë që të korrigjohen gjërat, se sa të mirren përgjigje të hidhura më vonë, kur nuk mund të ndryshohet asgjë.
Përfundimisht, për të pasur bisedime të suksesshme me Serbinë, fillimisht duhet të kthjellohet qëndrimi i Bashkimit Europian ndaj integrimit të Kosovës, duke e barazuar në rrugën e integrimit me Serbinë dhe duke i lëvizur të dyja këto shtetet në binarë paralelë të integrimit. E dyta, sjellja e Serbisë në bisedime duhet të kushtëzohet me integrimin e saj në strukturat europiane. Ndërsa në planin e brendshëm të Kosovës, me dialog politik e intelektual intensiv, duhet të eliminohen dilemat e brendshme të ndërtimit të shtetit, duke lënë mënjanë opcionet që krijojnë huti e demobilizimin e popullit. Krahas kësaj duhet të bëhet dekontaminimi i skenës politike nga aventurierët, nga profiterët e nga kriminelët, që e kanë zhvlerësuar jashtë mase këtë vend në sytë e qytetarëve të vet e në sytë e botës mbarë. Vetëm pastaj mund të hartohet një strategji e qartë e fuqizimit të shtetit, ku edhe bisedimet me armikun tonë të egër do të përjetoheshin si një akt i ri i triumfit të projektit tonë të shtetndërtimit. Nëse nuk ndiqet kjo ecuri, atëherë rreziku i dështimit të shtetit të Kosovës është real, veçmas nëse hyhet në bisedime me Serbinë e fuqizuar dhe pothuajse të rifashistizuar nga partia (SPS) e Millosheviqit dhe nga partia e konvertuar e Sheshelit (SNS), të cilat janë më shumë të motivuara për hakmarrje, se sa për marrëveshje. Prandaj, lypset një mobilizim i përgjithshëm politik e qytetar, pse jo edhe mbarëkombëtar, për të përballuar rreziqet e bisedimeve të reja politike me Serbinë. Përndryshe, Serbia ka paralajmëruar synimin që të kthehet në vendin e krimit, për të vazhduar serinë e krimeve hakmarrëse, sipas mallkimit të vjetër, „osvetiti Kosovo“. (Shenja, Shkup. 18, Tetor 2012)