THAÇI SONTE U TREGON KOSOVARËVE PËR KATËR DITËT NË HAGË
Thaçi sonte u drejtohet kosovarëve për katër ditët në Hagë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se sonte në orën 20:00 do të flas për katër ditët e kaluara në Hagë.
Thaçi dje ka arritur në Kosovë, ku është pritur nga qindra qytetarë që ishin grumbulluar në pikën kufitare në Morinë, për ta pritur presidentin që vinte nga Shqipëria.
Thaçi po kthehej pas intervisitmit katër ditorë nga Haga, njofton Insajderi.
Qytetarët u binin daulleve e surleve, ndërsa kanë veshur bluza me logon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e po mbanin flamuj në duar.
Më herët gjatë ditës, edhe djali i presidentit Thaçi, Endriti, kishte ftuar qytetarët që të marrin pjesë në pritjen e presidentit.
“Mirë se vjen, president! Të gjithë në pritje të heroit të luftës dhe paqes. Pika kufitare në Morinë. E premte, 17 korrik 2020, ora 19:30. Eja edhe ti! Merre flamurin me vete. Vendose maskën dhe mbaje distancën”, ka shkruar Endriti në një postim në “Instagram”.
Thaçit i është ngritur aktakuzë nga Gjykata Speciale për krime lufte.
Ai, bashkë me Kadri Veselin e PDK-së dhe nëntë persona të tjerë, ende të paidentifikuar, akuzohen për 100 vrasje.
Njerëzit e veshur me simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e në duar me flamuj kombëtarë që dolën për ta pritur, Hashim Thaçin, në pikën kufitare në Morinë u organizuan vetë, dhe dolën në pritje të presidentit nga vullneti i tyre.
Kështu ka thënë kryetari i Organizatë së Veteraneve të Luftës, Hysni Gucati, kur është pyetur për numrin e madh të qytetarëve në kufirin Kosovë – Shqipëri, ku pritej të arrinte Thaçi, njofton Insajderi.
“Nuk është në mënyrë të organizuar, nuk është e organizuar është vullneti i qytetarëve që ta presin liderin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kanë dalur ta presin presidentin e vendit”, ka deklaruar ai.
Gucati është shprehur i bindur se përfundimi i gjykimit potencial të Thaçit, do të shënojë vetëm një triumf tjetër të tij.
“Epilogu do të jetë i dështuar si çdo gjykatë tjetër që ka qenë e dështuar, dhe epilogu do të jetë triumfi jonë, Thaçi ka ditur ta mbrojë vendin gjithmonë. Krime lufte ka bërë Serbia”