Themelimi i Gjykatës Speciale të Kosovës është bërë nga Kuvendi i Kosovës, pas presioni jashtëzakonisht të fuqishëm të faktorit vendimmarrës ndërkombëtar,

0

           Faik Miftari  Avokat ,pohon. Për pyetjen e  bërë tha:-“ Opinioni im lidhur me vlerësimin e gjatësisë së intervistimit të presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale do të jap nga këndvështrimi profesional  që e ushtroj nga fusha e judikaturës, atij të avokatit.

 Krijimi i Gjykatës Speciale të Kosovës, paraqet një grusht të rëndë për Republikën e Kosovës si në aspektin politik ashtu edhe në aspektin e drejtësisë e cila do të na përcjell  gjatë periudhës së ardhshme kohore dhjetëvjeçare. Kjo sidomos është një goditje e madhe  për sistemin gjyqësor të Kosovës, pasi që me këtë, Gjykata Speciale ad hock e krijuar për Kosovën barazohet  me Gjykatën Penale Ndërkombëtare(Tribunali i Hagës) ad hock i krijuar  për ish Jugosllavinë.

 Edhe pse Gjykata Speciale e Kosovës është themeluar në Kosovë, nga organi legjislativ i Kosovës, funksionimi i saj do të jetë jashtë Kosovës. Themelimi i Gjykatës Speciale të Kosovës është bërë nga Kuvendi i Kosovës,  pas presioni jashtëzakonisht të fuqishëm të faktorit vendimmarrës ndërkombëtar, si të Washingtonit ashtu edhe të Brukselit. Sipas mendimit tim  janë dy faktor  kryesor që  kanë parapri krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës, faktori i parë,  ai i mos krijimit të një Gjykate vendore apo nacionale në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, e cila do të merrej me krimet e supozuara në Kosovë, sikurse janë themeluar në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi, të cilët gjykuan deri diku një numër të caktuar të personave të supozuar që kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës në hapësirat e ish Jugosllavisë. Faktori i dytë, apo edhe kryesor  që i parapriu themelimit të Gjykatës Speciale të Kosovës ishte pa mëdyshje raporti i Dick Martit.

Në aspektin juridik, cedimi(bartja) i sistemit gjyqësor vendor atij të jashtëm evropian, sipas konkludimit tim, do të thotë dështimi  i shoqërisë kosovare në aspektet e ndryshme shoqërore në përgjithësi, e në veçanti në fushën e drejtësisë, respektivisht të sistemit gjyqësor të Kosovës. Veçanërisht është brengosës Ligji për Dhomat e veçanta dhe Zyrën e Prokurorisë Speciale në të cilin ka shumë zbrazëtira  të cilët lënë të hapur për interpretime të ndryshme. Sidomos është non sens dispozita e nenit 19 paragrafi 4 i cili parasheh që rregullat e procedurës dhe provat mund të ndryshohen nga gjyqtarët e dhomave në seanca plenare në konsultim me prokurorinë e specializuar. Jashtëzakonisht  është shqetësuese edhe dispozita e nenit 37 që ka të bëjë me prova të paraqitura e cila lejon mundësin që provat të mbledhura nga ndonjë autoritet ose agjenci kombëtare ose ndërkombëtare për zbatimin e ligjit para krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës, do të mund të përdoren si provë. Kjo nënkupton se edhe provat e mbledhura nga autoritetet e shtetit të Serbisë mund të përdoren si prova, e para se gjithash shqetëson fakti se këto prova mund të jenë të manipuluara.

          Edhe aspektin e intervistimit të gjatë të presidentit z. Hashim Thaçi nga ana e Gjykatës Speciale të Kosovës duhet vështruar nga ky aspekt i lartcekur, pasi që Gjykata Speciale e Kosovës gjatë punës së saj me seriozitetin më të madh  do të trajtojë të gjitha aspektet, duke mos lejuar as një zbrazësi më të vogël të paqartë. Tani, i mbetet mbrojtjes së presidentit Hashim Thaçi, nëse gjyqtari i procedurës paraprake do të konfirmojë aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi, që të përgatitet maksimalisht me provat që do të ofrojë dhe dëshmitarët që do të propozojë, të hedh poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Gjykatës Speciale të Kosovës gjatë procesit kryesor gjyqësor i cili sipas mendimit tim do të zgjas shumë, gjatë një periudhe kohore 5-10 vjeçare.’

/qendrapress.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *