Paga 250 euro minimumi i standardit jetësor
Rritja e pagës minimale në Kosovë e propozuar nga Këshilli Ekonomik Social ka hasur në kundërshtim nga disa përfaqësues të bizneseve në Kosovë.Paga minimale në Kosovë e cila sipas një vendimi të vitit 2011 të Qeverisë së Kosovës vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç, është propozuar të rritet në 250 euro. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë po kundërshton rritjen e pagës minimale, pasi që sipas tyre, paga minimale në vlerë prej 250 eurosh mund të ndikojë në përkeqësimin e mëtejmë të prospekteve të punësimit si dhe në rritjen e informalitetit në punësim.Fuqia e lirë punëtore, sipas një komunikate për media të Odës Ekonomike Amerikane thuhet “se është një ndër faktorët kryesorë që ndikon jo vetëm në konkurrueshmërinë e bizneseve, por edhe në përpjekjet e Kosovës për të tërhequr investime të huaja direkte”. Kosova krahasuar me vendet e rajonit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) ka pagën minimale më të ulëtën në rajon. Kundërshtimin e pagës minimale nga bizneset, eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi e ka konsideruar të paarsyeshme. Sipas tij, 250 euro është minimumi i një page, pasi siç ka thënë ai, edhe ashtu me një pagë të tillë është shumë vështirë të përmbushen nevojat e një familje. “Sa i përket të punësuarve në sektorin privat në Kosovë pjesa dërmuese e tyre marrin paga jashtëzakonisht të ulëta të cilat janë nën standardin e jetës së qytetarëve. Nëse e marrim pagën minimale 175 çfarë po pretendojnë bizneset në Kosovë është e pamjaftueshme që një familje kosovare të mund të mbijetojë”, ka thënë Gashi. Ndërkohë, Albert Sinani një qytetar nga Prishtina, ka thënë se ka një pagë prej 250 euro, sa është propozuar të jetë paga minimale. Por, ai e konsideron këtë pagë të pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e familjes. “Punoj në një kompani private, rroga ime është 250 euro. Jemi katër anëtarë të familjes, është rrogë e ulët për të mbuluar shpenzimet ushqimore, në veçanti shpenzimet komunale që nuk arrijmë t’i mbulojmë. Është problem t’ia dalësh më këtë pagë deri në fund të muajit”, ka thënë Sinani. Ndërkohë, çmimet e konsumit në Kosovë, viteve të fundit kanë shënuar rritje të vazhdueshme.Në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve, është thënë se shkalla e inflacionit e matur në muajin nëntor 2017 me muajin nëntor 2016 ishte 0.9 për qind.Kurse faktorë të cilët janë përmendur se mund të shkaktohen nga rritja e pagës minimale, sipas përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës e cila është anëtare e Këshillit Ekonomik Social, tashmë janë analizuar.Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Parim Bajrami, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se paga minimale prej 250 euro nuk mund të ketë ndikim në përkeqësimin e punësimit apo rënien e investimeve të huaja.“Po thuhet se kjo pagë minimale prej 250 euro do të ndikon në informalitet në punësim, por nëse nisemi nga kjo, atëherë paga më e ulët minimale në rajon ka qenë në Kosovë dhe përkundër kësaj page, prapë se prapë shkalla e papunësisë dhe informaliteti ka qenë më i larti. Po ashtu, edhe tek investimet e huaja jemi gati të fundit në rajon”, ka thënë Bajrami.Marrç nga /Epoka e Re/