Përplasje Kurti – Haradinaj për veriun
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka krahasuar situatën e sotme në Veri të Ibrit me atë kur Ramush Haradinaj qeveriste me vendin, gjë që krijoi një përplasje midis këtyre dy figurave në seancën e së martës në Kuvendin e Kosovës, njofton Insajderi.com.Kurti tha se në Veri nuk ka pasur asnjëherë më shumë rend dhe ligj sesa sot.Këtë deklaratë Kurti e bëri pas akuzave të Haradinajt, se ekziston një plan për ta dorëzuar Veriun, nga dy operacionet e fundit.Krahasimin e situatave midis qeverisjes së tij dhe të Haradinajt, Kurti e bëri duke përmendur vizitën e Milan Radojiçiq në kryeministrinë e drejtuar nga Haradinaj.“Asnjë barrikadë nuk ka në Veri, a ka shumë punë e sfida? Po, se janë të trashëguara, por një nga një dhe krejt do t’i zgjidhim. Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur Haradinaj e priste në zyrë kriminelin Radoiçiq, atëherë ka qenë i rrezikuar, nuk e rrezikon veriun policia, veriun e rrezikojnë kriminelët dhe bashkëpunimi i tyre me politikanë të të gjitha ngjyrave, dhe kjo ka ndodh në korrik të vitit 2018”, tha Kurti.Para kësaj replike, Haradinaj që tashmë është deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se dyshon që Kurti i ndërmori dy veprime për aksione policore në veri, me qëllim që këtë pjesë të Kosovës “ta dorëzojë”.Ndërkaq, në kundërpërgjigje Haradinaj tha se i beson Policisë dhe Ushtrisë së Kosovës, por theksoi se dyshon në veprimet e Kurtit, të cilat “janë ndërmarrë qëllimshëm dhe vetëm për një arsye”.“Është interesant. Ne jemi këtu deputetë dhe politikanë dhe mundohemi me e kthy diskutimin te morali i trupave në terren. Unë nuk e kam qëllimin te morali i trupave se i besoj Policisë së Kosovës, i besoj ushtarit të Kosovës. Unë frikën e kam te ti kryeministër, që ti qëllimshëm i ke ndërmarrë dy veprime me e dorëzu veriun. Unë besoj që është skenar i yti me i marrë dy veprime, me e lënë pastaj zbrazët që me u forcu kriminelët dhe i ke bërë qëllimshëm. Kaq”, ka thënë Haradinaj.