Ekzekutohen pagesat për rreth 500 familje që humbën familjarët nga COVID-19
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se sot janë ekzekutuar pagesat për familjet që kanë humbur familjarin nga COVID-19.
Ministri ka bërë të ditur se pagesat janë ekzekutuar për rreth 500 familje përfituese.
“Sot është ekzekutuar pagesa për grupin e parë të Masës 3.1 për familjet që kanë humbur familjarin nga COVID-19, për rreth 500 familje përfituese. Komisioni është duke shqyrtuar në vazhdimësi aplikacionet, dhe shumë shpejt do të procesohen edhe grupet tjera”, ka shkruar Murati.
Lexo po ashtu:
Fillojnë aplikimet për mbështetje financiare për familjet që kanë humbur personat nga COVID-19
Murati ka njoftuar se disa aplikues që kanë pasur dokumentacion të pakompletuar, janë ftuar përmes emailit që të dorëzojnë edhe dokumentet që mungojnë, dhe sapo të pranohen nga komisioni, do të shqyrtohen edhe ato aplikacione.
Sipas masës 3.1, secilës familje që ka humbur familjarin si pasojë e infektimit me COVID-19 do t’i ofrohet mbështetje financiare në vlerë prej 1,500 euro. Ndryshe aplikimi për masën 3.1 bëhet në mënyrë elektronike në https://masa3-1.rks-gov.net dhe do të jetë i hapur deri më datë 30 nëntor 2021./Telegrafi