Mosftesa e Kosovës në ‘Samitin e Demokracisë’, opozita kritika Kurtit për ‘prishje’ të raporteve me Amerikën
Kosova nuk është ftuar të marrë pjesë në “Samitin e Demokracisë”, që do mbahet në datat 9 dhe 10 dhjetor ku do të marrë pjesë edhe presidenti i ShBA-së, Joe Biden.Kjo ka bërë që opozita kosovare të kritikojë ashpër kryeministrin Albin Kurti, për siç thonë degradim të marrëdhënieve Kosovë-ShBA.Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se manipulimet e bëra nga kryeministri Kurti, siç pohon në përshkallëzimin e raporteve me ShBA-në, janë të papranueshme dhe duhet të marrin fund.Ai konsideron Shtetet e Bashkuara si aleatin më të fortë të Kosovës, andaj vlerëson se synimi i kryeministrit Kurti duhet të fokusohet në riparimin e raporteve.“Mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Uashingtonit duhet të na shqetësojë të gjithëve pa dallim dhe të shërbejë si sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me ShBA-të si rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit. Aftësitë eksperimentale dhe manipuluese të kryeministrit Kurti në emër të Kosovës në raportet me ShBA-të, janë të papranueshme dhe nuk duhet të tolerohen nga askush. Ky degradim i raporteve strategjike me ShBA-të, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe Kosova ta rikthejë tashmë besimin e venitur”, ka shkruar Haradinaj në rrjetet sociale.Ai ka ftuar Kurtin siç thotë të lirohet nga politikat dhe veprimet për llogari të interesave të ngushta dhe agjendave e projeksioneve që synojnë zbehjen e rolit amerikan në Kosovë e rajon“ Kosova nuk ka kohë për të humbur, as nuk ka partner më të afërt sesa ShBA-të, andaj Kryeministri me urgjencë duhet t’i riparojë raportet dhe partneritetin e besueshëm e të shëndoshë me ShBA-të si aleati ynë strategjik. Asnjëherë nuk do ta lejojmë shndërrimin e Kosovës në laborator të eksperimenteve neo-komuniste evropiane që kryeqendër e kanë Moskën dhe qëllim parësor e kanë zbehjen e prezencës dhe rolit të ShBA-ve në Kosovë, rajon e më gjerë”, ka thënë Haradinaj, shkruan Reporteri.net.Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, përmes një shkrimi në Facebook, ka thumbuar Qeverinë Kurti, pasi SHBA-ja nuk e ftoi Kosovën në Samitin e Demokracisë.“As në dekë, e as në drekë! Populli…”, ka shkruar Gashi.Edhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka adresuar kritika ndaj Kurtit, duke i thënë kryeministrit “More atë që deshe, Shtëpia e Bardhë i vendosi Kosovës vijë të kuqe”.“Përjashtimi i Kosovës nga Samiti i Demokracisë, i cili ka qenë projekti i politikës së jashtme të Presidentit Biden, është po aq shqetësues sa edhe nevojë për të reflektuar se ku po shkon Kosova. Është hera e parë që Kosova përjashtohet nga një Samit i Shoqërive të Lira, samit ku Kosova duhet të ishte e para në rajon. Kosova më shumë se kurrë më parë ka nevojë të thyejë ciklin e izolimit. Shteti ynë duhet të jetë në forume shumëpalëshe si ky forum, por duhet të ketë edhe angazhim bilateral. Asnjëherë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur që për më shumë se 7 muaj qeveria të mos e vizitojë Uashingtonin dhe as që një lider kosovar të mos takohet me homologët e tyre amerikanë. Kjo nuk ndodhi as gjatë Asamblesë se Përgjithshme të OKB-së. Nuk i bën Kosovës nder të mbetët së bashku në grup me Vuçiçin, Dodikun dhe Putinin! Përkundrazi është një kambanë alarmi!!!!!”, ka shkruar Pacolli në Facebook.Ai më tej ka shkruar se Kosova në këto vite dhe muaj është treguar e pasinqertë ndaj aleancës me SHBA-në.“Joe Biden dhe John Kerry gjatë administratës së Obamës u ofenduan nga pushtetarët e sotëm ndërsa sot çdo kërkesë amerikane merret me dyshim, refuzohet apo përbuzet. Kryeministri Kurti mori atë që donte. Nga Shtëpia e Bardhë, jo e kuqja, apo e gjelbërta, u vendos në grupin e shteteve që kanë vijë të kuqe nga Shtëpia e Bardhë. Dëm i madh për Kosovën!”, ka shkruar Pacolli.
Kritikave të opozitës i është përgjigjur Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, i cili ka dekalruar se mosftesa e Kosovës në Samitin në fjalë nuk është ndonjë befasi, shkruan Reporteri.net.Zulfaj për këtë e ka fajësuar ish-Qeverinë Hoti duke thënë “këtë vit rezultati i demokracisë shënoi rënie për Kosovën për shkak të instalimit jokushtetues të qeverisë Hoti në Qershorin e vitit 2020”.Ai më tej ka shtuar se qytetarët nuk kanë asnjë arsye për t’u dëshpëruar, pasi sipas tij rezultatet e ndryshimeve demokratike të këtij vit do t’i shihen të reflektuara në raportet ndërkombëtare në vitin që vjen.Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë ka sqaruar pse nuk është ftuar Kosova, duke thënë se Samiti për Demokraci i Presidentit Joe Biden është nismë që megjithatë s’mund t’i akomodojë të gjithë partnerët pasiqëllimi ka qenë që të përfshihen demokracitë me llojllojshmëri të madhësisë së popullsisë.Tutje, ky zëdhënës ka thënë se Presidenti Biden në adresimin e tij për Kosovën ka deklaruar se Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm gjatë dy dekadave.Po ashtu në deklaratën e zëdhënësit të ambasadës amerikane thuhet se SHBA si partnere të palëkundura të Kosovës mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën.Kurse ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, në një bisedë për Gazetën Online Reporteri.net tha se mos ftesën e Kosovës në samitin e dhjetorit në SHBA nuk e sheh personale me Kryeministrin Albin Kurti e Presidenten Vjosa Osmani. Por, ai e sheh veç si mesazh se vendit i duhen ende punë për konsolidimin e demokracisë dhe se Kosova e ka ende sfidë të madhe korrupsionin, megjithëse sipas tij “qeveria aktuale po e lufton”.Sipas profesorit amerikan dhe ekspertit politik për Ballkanin, Daniel Serwer, arsye e cila do të mund të cilësohej si pengesë për Kosovën për mos t’u thirrur nga Shtëpia e Bardhë në samitin e Demokracive është korrupsioni, dhe mos ftesa është mesazh se “Nëse dëshironi të jeni në klubin demokratik, duhet të siguroni jo vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe një shoqëri më të hapur dhe pluraliste”. Ndonëse, ai e thekson që sipas tij Qeveria aktuale në Kosovë është duke e luftuar korrupsion.