Mijëra kosovarë vizituan Shqipërinë gjatë vikendit
Turistët vendas dhe ata të trojeve shqiptare, kryesisht nga Kosova, janë shpresa e vetme e operatorëve turistikë në Shqipëri. Ditën e shtunë kanë hyrë në Shqipëri përmes pikë-kalimit kufitar të Morinit rreth 15 mijë qytetarë. Të preferuarat mbeten qytetet bregdetare si Shëngjini, Velipoja e Durrësi, por tashmë harta e pushimeve është zgjeruar deri në tre ishujt e Ksamilit në jug të Shqipërisë.
Me gjithë numrin në rritje të turistëve, sezoni mes pandemisë së COVID-19 është parashikuar i vështirë nga operatorët turistikë Shqipërisë. Ta zëmë, deri në 90 për qind përllogaritet të ketë rënë numri i pushuesve të huaj përgjatë muajit korrik në bregdetin e Vlorës. Rënia drastike, sipas punonjësve të qendrave të vizitorëve, lidhet me situatën e krijuar nga pandemia e Coronavirusit. Qendrat e vizitorëve bosh janë dëshmia se Vlorës këtë sezon turistik i mungojnë në masë turistët e huaj. Krahasimi i të dhënave me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar tregon rënie drastike me rreth 90% të numrit, raporton KOHA.
“Efekti COVID është ndier më shumë te vizitorët, ku statistikat referojnë se ka pasur rënie drastike. Vitin e kaluar në korrik qendra do të ishte plot me turistë. Në krahasim është 10% krahasuar me vjet”, thotë punonjësi i Qendrës së Turizmit në Vlorë, e ngritur me financim të UNDP-së. Sipas punonjësit të qendrës, pandemia e Coronavirusit është arsyeja kryesore e mungesës së të huajve në Vlorë.
“Ka kryesisht turistë shqiptarë që e kanë informacionin, ndërsa turistët e huaj mungojnë, ose janë të kufizuar”, thotë punonjësi.
Bazuar në përvojën që kanë krijuar, punonjësit e zyrave të vizitorëve në Vlorë bëjnë edhe dallimin mes turistëve të huaj dhe atyre vendas, destinacionet apo mënyrën si i organizojnë ditët e pushimeve.