Ish ushtari i UÇK-së rrëfen masakrën në shtëpinë e tij gjatë luftës: U dogjën 14 vetë
Nuk mund të kuptohen festat e nëntorit pa Kosovën. Pa kujtuar heronjtë e luftës që dhanë jetën për atdheun. Të ftuar sot në studion e “Jeto me Orën” ishin tre të mbijetuar të familjeve dëshmore Muqolli, Deliu dhe Bilalli. Të tre anëtarët e mbijetuar nga masakrat e serbëve rrëfyen në studio torturat që kanë përjetuar. Fadil Muqolli rrëfeu për masakrën e 17 prillit në Poklek të Drenicës dhimbjen por edhe sakrificën që familjarët e tyre bënë për Kosovën e lirë.“Masakra u bë në shtëpinë time ku mbetën të vratë 14 anëtarë të familjes së ngushtë, dy prindërit, katër motrat, bashkëshortja ime me 6 fëmijët e mijë, bashkëshortja e vëllait tim me dy fëmijë. Ata menduan se na dogjën të gjithëve, ne që mbetëm të gjallë kemi mbledhur të gjitha kockat e të vdekurëve dhe varrimin e tyre e bëmë pasi mbaroi lufta” rrëfehu Muqolli. Ndërsa për masakrën e ndodhur në Shtuticës në 1999 ku familja Billalli humbi 21 antarë, Rifat Bilalli i mbijetuari kujtoi me lot në sy dhimbjen e madhe që kishte përjetuar.“Kosova më 30 prill të 1999 u gdhi në tym e flakë nga Serbët. Dëgjonim vetëm krisma, erdhën dhe na morën të gjitha çfarë kishim në shtëpi, na zhveshën në pjesën e lartë të trupit dhe na ngjitën në mal. Aty na kanë torturuar, rrahur dhe vrarë me thika, na vizatuan edhe kryqet e tyre në ballë, atë ditë janë vrarë mbi 400 veta” tregoi Bilalli.Më tej Imer Deliu rrëfeu historinë e familjes së tij ku më 6 shtator të 1998, në Abri të Epërme, u masakruan 23 anëtarë të familjes, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq.“Kur kam qenë duke ikur për në shtëpi kufomën e parë që pashë ishte ajo e vëllait tim,e më pas pashë të nënës, hallave të kunatës dhe fëmijëve. Të gjithë ishin ekzekutuar me granata dore dhe armë të ftohta” u shpreh Deliu. Por përtej humbjeve dhe dhimbjes të tre të mbijetuarit dhanë një mesazh të madh për të gjithë shqiptarët në këto festa të cilat kujtojnë mbi të gjitha sakrificën e dëshmorëve tanë, emri i të cilëve mbetet i paharruar në historinë e vendit. “Për të gjithë shqiptarët është festë e madhe kjo ditë e aq më tepër edhe për në shqiptarët e Kosovës, ju urojmë të gjithëve gëzuar festat dhe shpresojmë që një ditë të jemi të bashkuar në një “ u shprehën ata në fund të bisedës.