E diela poetike me poeten;Dea Basha
Kënga e nimfës
——————–
Shpaloset hijeshia mbi gjethet e dafinës
Në pyjet zbukuruar me aromë drite
Hëna derdh bukuri të panjohura
Trupi i lagësht nën ujvarën pa pëlhurë
Pikturon lëvizjet në xhamin e ujit shërues
Vallëzon me shenjtërinë në bardhësi
Kapakët e gjurit i’a puth lumi me valë
Pas shkurreve medituese fshihen sy të huaj
Shfaqjet e vona sensuale ushqejnë pasqyrat
Reflekton tundim epshor valvitja e flokëve
Të gjatë, të butë, të pastër si kristal i ndaluar
Për të fshehurit ëndërrimtar të binjakes së diellit
Bija e natyrës nis këngën vetmitare
Zërin lëshon në horizontin ku rilindi dashuria
Shpresa di të verboj dhe sytë e saj të shkruar
Trazon qetësinë ulërima e bulkthit
Barkat i sheh të përvëluara në zjarr
Brishtësia e saj i takon shatërvanit të akullt
Akoma pret të shfaq veten
I vetmi çlirim njerëzor ti tregoj rrugën e daljes
Përfunduesi i shfaqjeve provokuese
Mjerimisht e nënshtruar në vallen e trishtimit
Per aq sa misteri fle mes flakës hënore
Pyjeve të pazbuluara ajo ende peshkon ëndrra
Përqafon ujin shërues, falësen e mallkimit
Hiret e përjetshme i mbytën botën e brendshme
Ku rronte shpresë e vakët për vite lumturie
Pasqyrat thyhen në dalldisje erotike
Ajo ende lëviz trupin ku gdhendet dhembja
Toka dridhet
Barkat përmbysen në ujin e ftohtë
Akoma pret të vijë dikush e ta pyes
Për shijën e njelmët që ngufat shpirtra
Gënjeshtrën që helmon të vdekshmit
Fundosjen e syve pasqyrues
Kur natë e nëmur varros fëmijët njerëzor Në iluzionin e lotit të tjetërsuar