NGA VËLLIMI POETIK” SHKRUAJ ME SHKOP MAGJIK”/Nga; Erona Mehmeti – Mitrovicë
ËNDRRËS DËSHIRËN IA TREGOVA
————————————————-
Shumë ëndërrova yjet e shpresës
Yjet heshtur më dëgjonin
Hëna me nurin e saj ma mbulonte
Çarçafin e shpresave
Sillesha mes ëndrrës e realitetit
Gërshetuar ëndrrat
Më belbëzonin në amulli
Udhëkryq në jetë shpresat më bënë
Ngarenda në honin e imagjinatës
Aty ndjehesha e lumtur
Me ëndrrën flisja çdo natë
Syçkat ajo m’i ledhatonte
Bashkë ecnim nëpër shkëndijat e kohës
Vetëm me ëndrrën shihja lumturi njerëzore
Mirësi e begati, hyjni e padjallëzi.
Mos më lër ëndërr të përpëlitem me realitetin
Në gjirin tënd më merr
Mbase nesër ti do të jesh realiteti im
Deri atëherë më mbaj në përqafim
Sekretet e mia vetëm ti i di.
PËRGJËROHEM
———————-
E di se nuk jam pa gabime
Ende pjekuria
Në derë nuk më ka trokitur
Ëmbëlsinë e fëmijërisë e shijoj
Nëna më tregon për gugatjet e para
Për netët pa gjumë me mua
O nënë, gabova ndonjëherë
E di
Të përgjërohem e shtrenjta ime
Ti meriton shumë dashuri
Nuk matet me peshore dashuria jote
Ëndrra e gjumit tim
Hyjnorja ime sa me dashuri më flet
Asnjëherë nuk më qortove
Në gabime të mia qeshe
Më vonë ëmbëlsisht më fole
Sa shumë më mësove për jetën
Për peshën e fjalës mësova nga ti
Të përgjërohem e shtrenjta ime
Nëse të kam lënduar shumë ndonjëherë
E ti me buzëqeshje më je kthyer
Të përgjërohem…