Ibrahim Fehmiu ishte atdhetar dhe figura poliedrike e kombit, u tha me rastin e 70 Vjetorit të vdekjes
SHKA “Agimi” përkujtoi 70-vjetorin e ndarjes nga jeta të patriot të shquar, njëri ndër mësuesit e gjeneratës së parë në Kosovë dhe luftëtarit të madh të arsimit në gjuhën shqipe, Ibrahim Fehmiu (1892- 1951).
Paraprakisht një delegacion nga këshilli organizativ i këtij përkujtimi bëri homazhe tek varri i Ibrahim Fehmiut. Pjesa kryesore përkujtimore u mbajt në lokalet e SHKA “Agimi”.
Për jetën dhe veprën e Ibrahim Fehmiut, kumtesë për jetën dhe veprën e Ibrahim Fehmiut lexoi mysafiri nga Gjakova, Ragip Ballata, ndërsa Haki Gajraku, drejtori i SHFMU “Ibrahim Fehmiu” në lagjen Arbanë, foli për nismën e emërtimit të kësaj shkolle me emrin e Ibrahim Fehmiut, po ashtu u lexua edhe një pjesë nga libri “Shkollat dhe arsimi në Prefekturën e Prizrenit 1889 – 1944) të autorit Metë Shatri si dhe kujtimet e Orhan Kubatit, e Petrit Nushit, ish nxënës të Gjimnazit të asaj kohe. Pjesë e këtij përkujtimi ishin edhe këngët e interpretuara nga prof. Rami Ymeri dhe interpretimi i vargjeve nga aktori Nimon Muqaj. Në emër të familjes Fehmiu të pranishmit i përshëndeti i biri i tij, Arsim Fehmiu.
Jeta dhe vepra e Ibrahim Fehmiut
Lindi në Gjakovë më 25 nëntor 1892. Mësimet fillestare i kreu në mejtepin e Xhamisë së Gërçarëve në Gjakovë, për t’i vazhduar pastaj në mejtepin e “Halil Efendisë”. Shkollën për mësues e kreu më 1912, në degën e Normales turke të Shkupit. Pas përfundimit të shkollës, kthehet në vendlindje dhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë e emëroi imam dhe mësues në Xhaminë e Gërçarëve, më 1 nëntor 1912.
Në vitin 1915, me angazhimin e përkushtuar të Ibrahim Fehmiut dhe me ndihmesën e pakursyer të Bajram Currit, në Gjakovë u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe me emrin e heroit tonë të lavdishëm “Skenderbeg”.
Ibrahim Fehmiu ishte pjesëmarrës në Kongresin Arsimor, mbajtur në Tiranë më 12 gusht 1924. Në fillim të viteve 20 të shekullit të kaluar, Ibrahim Fehmiu ishte emëruar në detyrën e mësuesit në konviktin “Kosova” në Kolgecaj (tani Bajram Curri). Përveç mësuesit, ai këtu kishte kryer edhe detyrën e ekonomatit, të zëvendësdrejtorit dhe, pas vitit 1924, Ibrahim Fehmiu emërohet në detyrën e drejtorit të konviktit “Kosova.”
Pas themelimit të Mbretërisë dhe shpalljes së Ahmet Zogut – Mbret i Shqiptarëve, Ibrahim Fehmiu u detyrua të kthehej në Kosovë, e cila tanimë ishte nën sundimin jugosllav. U vendos në Gjakovë, por pa kaluar shumë kohë, e arrestuan xhandarët serbë, dhe me procedurë të shkurtër e dënuan dhe e dërguan në vuajtje dënimi në burgun e Valevës (Serbi) prej vitit 1929 – 1931. Por, edhe pas vuajtjes së dënimit atë e dërguan (si një lloj mase mbikëqyrjeje) në internim në Sarajevë, ku qëndroi deri në vitin 1939. Gjatë këtij viti Ibrahim Fehmiu së bashku me familjen e tij vendoset në Shkodër dhe atje qëndroi deri në fillim të vitit 1941. Duke qenë i vetëdijshëm për mungesën e theksuar të kuadrit arsimor në shkollat shqipe që pritej të hapeshin në këtë vit shkollor, Ibrahim Fehmiu kthehet në Kosovë në prill të këtij viti, së bashku me një grup mësuesish kosovarë.
Në Prizren menjëherë vë kontakt me mësuesit prizrenas dhe fillon të japë kontributin e çmueshëm në përgatitjet dhe strukturimin e organeve arsimore. Më 23.VI. 1941, ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, emëroi Ali Hashorvën kryetar të Misionit Shkollor të Jashtëzakonshëm, i cili vendosi selinë e tij në objektin e shkollës fillore “Bajram Curri” në Prizren. Me vendimin e tij nr. 11 të datës 17. VII. 1941 (pas 25 ditësh), Ali Hashorva emëroi Ibrahim Fehmiun drejtues të kurseve verore të qendrës së Prizrenit.
Më 6 maj 1943, përveç detyrës së drejtorit didaktik, Ibrahim Fehmiu do ta kryejë edhe detyrën e inspektorit të Arsimit. Duke njohur potencialin e lartë intelektual dhe formimin kombëtar të lbrahim Fehmiut.
Pas vitit 1945, kur komunistët morën pushtetin, lbrahim Fehmiu (me disa mësues të tjerë) trajtohej si armik i popullit. Si i tillë, ai u dënua në një proces të montuar politik. Më 17 maj 1948, pa pasur asnjë provë të qëndrueshme, por vetëm mbështetur në aktakuzën false, Ibrahim Fehmiu u dënua me 3 vjet burgim. Së pari e dërguan në burgun e Nishit, pastaj në kampin e përqendrimit në “Sibin Naselje”, si dhe në Stara Gradishkë të Kroacisë. Për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij, një kohë e mbajtën nën vëzhgim të rreptë në Beograd. Në fund të vitit 1950, Ibrahim Fehrniu kthehet në Prizrenin e tij, me shëndet tërësisht të rrënuar. Vazhdoi punën si mësues në shkollën fillore që dikur quhej “Bajram Curri”.
Por, më 18 dhjetor 1951, pas një përkeqësimi të shëndetit të tij, pushoi së rrahuri zemra e madhe e rilindësit të fundit dhe e intelektualit të rrallë kombëtar, lbrahim Fehmiu. Me gjithë masat e rrepta policore, në varrimin e Ibrahim Fehmiut (19 dhjetor 1951), me arkivolin e mbuluar me flamur kombëtar, morën pjesë mijëra qytetarë, jo vetëm nga Prizreni e Gjakova, por edhe nga të gjitha viset e tjera të Kosovës.
“Për veprimtarinë e tij të begatë dhe merita në luftë për të drejtat kombëtare e drejtësi sociale, si dhe për kontributin e dhënë në hapjen e shkollave shqipe në Kosovë në periudhën 1941-1944, Presidenti i Republikës së Shqipërisë e dekoron Ibrahim Fehmiun me Urdhrin “NAIM FRASHËRI TË KLASIT I”, Dekreti nr. 811, dt. 11. IV.1994.
Shënimet janë marrë nga libri i Metë Shatrit “Shkollat dhe arsimi në Prefekturën e Prizrenit 1889 – 1944) /qendrapress.com/