Qerkini: Specialja u vonua për ta liruar Veselin për varrimin e nënës, ai s’bëri shkelje në vizitat e mëhershme
Avokati Artan Qerkini ka folur për vizitën e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli në Kosovë pas vdekjes së nënës së tij.Qerkini ka thënë se Gjykata Speciale u vonua për ta liruar Veselin që të merrte pjesë në ceremoninë e varrimit të nënës së tij.“Pjesëmarrja e një personi që ndodhet në paraburgim në ceremoni të varrimit dhe ato ceremonitë tjera pas varrimit, është e karakterit humanitar. Konsideroj se Gjykata është vonuar me apo pa qëllim, sepse nuk ka pasur asnjë arsye që të mos ia mundësojë pjesëmarrjen në vetë ceremoninë e varrimit, aq më parë nëse merret parasysh fakti që zotri Veseli është liruar edhe më parë për shkaqe humanitare dhe atë dy herë. Hera e parë ka qenë kur prindi i tij ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, edhe poashtu i është lejuar të marrë pjesë në ceremonitë pas varrimit të babait të tij”, tha ai.Ai konsideron se Gjykata Speciale nuk ka pasur asnjë arsye që të mos e lironte më herët, duke pasur parasysh se Veseli ishte liruar edhe dy herë të tjera për vizitë në Kosovë, dhe nuk kishte bërë asnjë shkelje.“Po ashtu duhet theksuar se zotri Veseli gjatë dy vizitave të para nuk kishte bërë asnjë shkelje edhe pse ishte vendosur në pozitë shumë të vështirë nga aspekti njerëzor, sepse ka qenë i përcjellur vazhdimisht nga forca të shumta të sigurisë dhe ato i ka përballuar vetëm që të jetë pranë famijles në ato momente të dhimbshme dhe të vështira për familjen e tij”, tha Qerkini në televizioni T7.Qerkini theksoi se Specialja e kishte rrugën të trasuar se si të veprojë në raport me Veselin kësaj here.“Gjykata Speciale e ka pasur rrugën e trasuar se si të veprojë në raport me zotrin Veseli. Prandaj konsideroj se Gjykata Speciale duhet që më me kujdes dhe seriozitet ti trajtojë këto raste”, shtoi ai.