Qentë endacakë “pushtojnë” kryeqytetin, qytetarët ndihen të rrezikuar.
Në oborrin e kampusit universitar, qëndrojnë vazhdimisht një tufë qensh nga të cilët qytetarët që kalojnë në atë rrugë për Telegrafin thanë që ndihen të rrezikuar.Afrim Islami tha që më shumë ndihet i shqetësuar për fëmijët , pasi sipas tij gjatë gjithë kohës fëmijët duhet të dalin të shoqëruar nga prindërit.“Edhe fëmijët janë të rrezikuar prej qeneve, përndryshe po na duhet gjatë gjithë kohës të jemi nën përcjellje të fëmijëve, pra po na kushton kohë. Po çka ke me i thënë komunës e gjora nuk ka për veti ka me e shpërnda atë buxhet më përpara. Për me i marr dhe me i trajnu në mënyrë të duhur këta qenë po kushtojke. Kështu që është problematike”, u shpreh Islami.Kurse një qytetare tjetër Safete Berisha tha që po ndihet shume e rrezikuar dhe e frikësuar nga këta qenë.“Pasha zotin po është frika, ju po e shikoni sa qeni është këtu. Me e marrë dikush një iniciativë me i mbytë ose me i largu sepse po frikësohemi ne edhe fëmija edhe të gjithë. Rrezik deri në momentin e fundit”, tha Berisha.E në anën tjetër Besar Munishi, tha që kryeqyteti duhet patjetër ta ketë një strehë për qentë endacakë sepse është shumë e nevojshme.“I vetmi prej kryeqyteteve, në Ballkan që nuk ka një strehim për qentë. Dhe kishte me qenë mirë me e pas një fond të caktuar për strehimin e qeneve sidomos në kryeqytet është shumë e nevojshme ”, u shpreh ai.Ai po ashtu theksoi që ndihet i rrezikuar kur ecë vetëm, sidomos në kampusin universitar për shkak të ndriçimit të dobët.Kur jam vetë normal që rreziku është më i lartë por kur je me shoqëri nuk ndihem i rrezikuar por vetë normal që ndihem. Sidomos edhe ajo që ndriçimi është shumë i keq dhe është shumë e vështirë me ecë në këtë pjesë”, tregoi Munishi. Po ashtu, edhe ekipi i Telegrafit u sulmua nga po këta qenë gjatë qëndrimit të tij në këtë pjesë.Në anën tjetër nënkryetari i Prishtinës Alban Zogaj, nëpërmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur që komuna e Prishtinës ka nënshkruar një kontratë për strehimin e qenve endacakë.“Kemi nënshkruar kontratë që siguron vazhdimin e trajtimit të qeneve endacak, e që përfshinë zënien, kontrollin, ushqimin, vaksinimin, identifikimin, sterilizimin, hospitalizimin dhe lëshimin e tyre. Ndërkohë po punojmë për një zgjidhje afatgjate të problemit”, shkroi Zogaj./Telegrafi/