Armiku i Kurtit është Kurti i vjetër- Shkruan Genc Prelvukaj,historian dhe analist politik

0


                              Shtetarë në mjegull e rrëmujë tek simpatizuesit, kjo është gjendja në mjedisin e partisë që drejton shtetin. Kurti tani e ka shumë të qartë se nga opozita flitet lehtë, ndërsa nga ambientet e kryeministrisë këndohet ndryshe. Nga ana tjetër, mundësitë e tij dhe strukturës rrethuese, nuk qëndrojnë në ekuilibër me pritshmëritë e popullit.

Depresioni kolektiv të cilin e ka ushqyer që nga ngritja e tij në skenën politike, ka filluar ti kthehet kundër, pasiqë kërkohen rezultate të shpejta. Karta kryesore mbi të cilën është ngritur, përmes të cilës fajëson këdo që ka drejtuar shtetin para tij, pas një viti qeverisje, i është djegur. I duhet një armik për ta zhvendosur vëmendjën, por tani armik ka vetën në kohën e shkuar.

Në strofullën e tij duket që ka një ftohje, ndërsa në periferi dimër i madh. Duket qartë se simpatizuesit e tij janë kthyer në defanzivë, pasiqë për më shumë se një dekadë kanë prognozuar ndryshime elementare, sapo të ngritet në pushtet. Meqenëse në rrugëtimin e tyre nuk qenë në gjendje të dallojnë dëshirat nga mundësia, tani kur është e qartë që e kanë besuar një përrallë, kanë ndryshuar retorikë. Për këtë, them se është e nevojshme një një analizë retrospektive se ku gabuan njerëzit në lidhje me rreshtimin përkrah tij.

1.Pamundësia për të dalluar retorikën elektorale nga realiteti politik.

Një pjesë e votuesve të Kurtit, i është bindur verbërisht çdo fjalimi politik të tij, pa bërë asnjë verifikim nëse kanë apo jo themel. Këtu hyjnë deklaratat në të cilat fajësohen qeveritë paraprake edhe në ato segmente ku gjendja e rëndë nuk kishte ardhur si pasojë e gabimeve në udhëheqje, por shkaku i faktorëve historikë. Në nxitim e sipër, një pjesë e tyre kishte pranuar edhe lajthitjen publike sipas të cilës, nga rrënojat e luftës, pa asgjë funksionale, me deficit kuadri dhe pa praktikë në drejtimin e shtetit, qeveritë e kaluara për njëzet vite do të duhej ta rangonin vendin mbi shtetet tjera ballkanike. Pa marrë kurrë parasysh edhe pengesat në konsistencë të shtetit serb në procesin e shtetformimit.

  1. Pritshmëritë përtej mundësive

Në organizatën politike Vetevendosje, një numër njerëzish janë rreshtuar mbi bazën e idesë fiktive sipas të cilës, Kurti dhe 300 spartanë heroikë, do të braktisin familjet e veta dhe detyrimet ndaj tyre dhe do ta lënë shpirtin në punë, duke zgjidhur cdo hall të mbishtresuar popullor me shpejtësi rapide. Pa e marrë parasysh asnjëherë faktorin njeri duke e konsideruar këtë të fundit si krijesë teknologjike të programuar. Cdokush i inkuadruar në Vetëvendosje është parë me syrin e njeriut të aftë, me dituri mbi të tjerët dhe i përgaditur përballë çdo sfide politike, pa e kuptuar se në disa raste bëhët fjalë për demagogë të skajshëm. Shpesh ka mjaftuar edhe ndonjë citat i thënë gjatë debateve dhei mësuar përmendësh, në disa raste edhe nga autorë të huaj komunistë, për të konluduar me naivitet supremacinë e tyre intelektuale.

  1. Pastërtia morale e kolektivit

Një pjesë tjetër e votuesve që janë sot përkrah Kurtit, si arsye për bashkangjitje kanë pasur besimin në pastërtinë morale të tij. Në këtë kontekst, kanë bërë një lidhje të pabazë të tërë strukturave partiake me mënyrën e sjelljës që ai ka manifestuar në publik deri tani. Përtej kësaj, rreshtimi me Vetëvendosjën, jo rrallë është parë dhe trajtuar si shpërlarje e individëve të caktuar nga hija e keqe që kanë pasur në të kaluarën. Nëse është fyer dhe akuzuar për shpërdorim dhe hajdutëri, ta zëmë Mimoza Kusari sa ishte në krah tjetër, me rreshtimin në Vetëvendosje brenda natës i janë ngritur kreditet dhe kjo është në kuadër të mendjësisë së dëmshme. Me ardhjën në qeveri dhe me fillimin e punësimeve familjare në borde dhe në pozita tjera shtetërore, është dëshmuar që kjo kategori kishte gabuar rëndë në lidhje me këtë qasje.

  1. Revolta në mungesë informatash

Nga formacioni politik i Kurtit, vendi në konsistencë është prezentuar si i pasur, por që mjerisht ka rënë në kthetrat e një kopeje ujqërisht të cilët i kanë grirë kockat. Resurset e vendit janë trajtuar përtej vlerës reale, duke prekur sentimentin e njerëzve, sidomos pjesës së varfur. Emigracioni i vazhdueshëm dhe largimi i kuadrit është trajtuar si dukuri që ndodh vetëm në Kosovë, duke anashkaluar të dhënat që edhe shtetet e zhvilluara ballkanike sikurse Kroacia, janë në alarm mbi këtë zhvillim. Ky diskurs kishte rreshtuar një masë të madhe përkrah tij, në formë revolte ndaj këtij armiku të brendshëm. Me ardhjën në pushtet, gjuha politike ka ndryshuar. Vendi prezentohet si i varfër, ndërsa ikja nga vendi si dukuri regjionale.

  1. Ndërmjet propagandës dhe inateve personale

Tek njerëzit që gjykojnë pa ngarkesë emocionale, është mëse e ditur, që Kurti luftën më shumë e ka me historinë se sa me të tanishmën. Pothuajse nuk ka njeri, që ka punuar drejt shtetësisë së Kosovës dhe që ende bën pjesë në jetën publike, ndaj të cilit nuk ka shpërfaqur neveri. Në partinë e tij ka krijuar një mentalitet pune, i cili ka diktuar në mënyrë të pavetëdijshme antarët e saj, që të vërsulën kundrejt pjesës dërrmuese të burgosurve politikë, drejtuesve të luftës dhe të frontit paqësor rugovist. Për shembull, për ditën e veteranëve të luftës nuk uroi asgjë, duke forcuar hipotezën e sipërthënë dhe nuk mund të ketë shkak tjetër, përpos faktit që shumica absolute e tyre nuk janë me të. Qëllimi është i qartë: dëmtimi i reputacionit të figurave konkuruese, dërgon në ngritjën e figurës së tij. Sidomos kjo duket qartë në moshën e re, ku shumë prej simpatizantëve fanatikë paralelisht me dashurinë ndaj Kurtit, vështirë se gëzojnë respekt për punën e krahut tjetër përgjatë rezistencës dhe kryengritjës.

  1. Inercioni dhe votuesi eksperimental

Kur matjet paraelektorale nxjerrin fitues një krah politik, punon dukuria e inercionit. Është një numër votuesish të cilët duan të rreshtohen përkah partisë që në sondazhe prin, duke mos u interesuar mbi platformën dhe idetë qeverisëse, e aq më pak të bëjnë analizë mbi mundësitë e realizimit të tyre. Kjo shtresë votuesish është fluide, gjë që u manifestua edhe në zgjedhjet komunale, ku inercioni punoi shpeshherë tek fuqitë opozitare. Mirëpo përvec kësaj shtrese, Vetëvendosje në zgjedhjet e përgjithshme përfitoi edhe bashkësinë e votuesit eksperimental. Në shoqërinë tonë gjithnjë ka ekzistuar votuesi i cili gjithnjë do të provojë dikë tjetër në qeverisje, pra synon të ketë rotacion të shpejtë politik, sepse nuk e bind në staza të gjata asnjë formacion aktual.

  1. Rreshtimi për shkak të interesit

Rreshtimi në partinë e Kurtit, ka raste kur është parë si mundësi e përfitimit personal me ardhjën në pushtet. Ka njerëz që shkaku i mungesës së praktikës institucionale të Vetëvendosjës, kanë besuar se mund të përvidhën dhe shfrytëzojnë pakujdesinë si parti e re në pushtet, për pasurim të paligjshëm. Prandaj ka pasur një rrjedhje nga PDK-së apo LDK-së, të individëve që paraprakisht ishin demaskuar, denoncuar si keqpërdorues ose edhe ishin përzënë nga strukturat drejtuese të tyre. Për shembull, në të kaluarën gjatë punës në shtet, kam njohur njerëz që më pas, brenda gjashtë viteve, kanë kaluar nëpër tri kulte individi varësisht nga forca që ka qeverisur me atë njësi shtetërore. Është e pamundur të mendohet se kanë ndrruar bindjet aq shpejt për ndonjë parim të shëndoshë.

  1. Simpatizues të bashkimit kombëtar

Idealistë dhe patriotë, që për fat të keq nuk i kanë bërë llogaritë mirë në këtë drejtim. Duke i njohur shumë prej tyre, gjithmonë e kam pasur të qartë se mjedisi dhe njerëzit me të cilët kryesisht është rrethuar Kurti bashkimin e kanë parë me shumë dyshim, për të mos thënë kundërshtuar haptazi. Kam folur më shumë prej tyre dhe përplasur mbi këtë bazë. Me ardhjën në pushtet, mjegulla ra dhe bashkimi nuk u kthye asnjëherë në temë, duke dhënë sinjale se mund të jetë përdorur si cështje vetëm shkaku i përfitimit të poenave politikë drejt ngjitjës në maje të shtetit dhe asgjë më shumë. Njerëzit e rreshtuar në Vetëvendosje mbi bazën e pritshmërisë së lëvizjeve drejt bashkimit, ndoshta janë njerëzit e parë të cilët kanë filluar ta braktisin anijën.Më lartë janë listuar vetëm disa nga arsyet e gabuara të rreshtimit, të cilat nuk mbyllën këtu. Dikush tjetër vec meje, mund të shtojë edhe ndonjë tjetër, varësisht nga cili këndvështrim niset. Gjithsesi, ka njerëz të cilët mund të jenë simpatizues të Vetëvendosjës pa i takuar asnjërit grupim të sipërthënë dhe arsyet mund ti kenë të shëndosha. Mirëpo korpusi më i madh i të rreshtuarve aktualisht me ta, arsyet i kanë të gabuara dhe duhet ti rishqyrtojnë.Votuesit e rinj që sapo kanë marrë të drejtën e votës duhet ta kenë të qartë se në këtë kohë dhe në këtë shekull fenomeni i kultit të individit nuk do të duhej as të shtrohej si diskutim. Simpatia politike duhet ndërtuar mbi analizë dhe gjëra relevante lidhur me drejtimin e shtetit dhe jo ndryshe. Është e pakuptimtë të arsyetohet edhe shtrenjtimi i çmimeve të produkteve elementare për jetesë, për shkak të pëlqimit ndaj një lideri politik, kur në fakt pëson ekonomia familjare e secilit, pa dallim partiak. Në raste të tilla duhet protestë, që përvec se do të shtonte trysninë për rishikim të disa tarifave, sic bie fjala në rastin e energjisë elektrike, do të pamundësonte ngritje të reja./Reporteri/

Bottom of Form

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *