R R O F T Ë L I D E R I !-Shkruan;Hasan Bala.
Popull i bekuar nga hyjnia, popull i përzgjedhur, juve që Jehovai jua dërgoi më në fund shpëtimtarin, të bekuarin, hyjin me fytyrë njeriu, atë që i di të gjitha, atë që edhe mundet gjithçka, dijeni se ju jini të bekuar, sepse tani po ju udhëheqë Shpëtimtari, prandaj ndjehuni të lumtur për këtë, sepse ju edhe jeni të lumtur, ka mundësi të mos e dini këtë, të mos e kuptoni, por ju duhet të ndjeheni të lumtur, sepse të tillë jini, të lumtur, të bekuar… Prandaj, dëgjoni, dhe besoni se atdheu ynë po lulëzon, se tani nuk keni krizë, keni lumturi, ju nuk keni shtrenjtim të çdo gjëje, keni zbritje çmimesh, ju nuk i keni të ardhurat të zbritura e të sakatosura, mos përdorni këso shprehjesh negative, ju i keni rrogat të mira, mirëqenia juaj po ju sjell lumturi, sepse “KOSOVA KA PASUR RRITJEN MË TË MADHE EKONOMIKE QË NGA SHPALLJA E PAVARËSISË NË VITIN 2008.”
Dhe besojini kësaj, se kështu ka thënë Lideri, kështu ka thënë hyji, i bekuari , bagwami, Albin Kurti… se juve po ju ngritët mirëqenia, se kuletat tuaja po fryhen shumë, se xhirollogaritë i keni plot, sepse “KOSOVA KA PASUR RRITJEN MË TË MADHE EKONOMIKE QË NGA SHPALLJA E PAVARËSISË NË VITIN 2008.”
Kështu e dëgjova engjëllin që foli dhe fluturoi lart në qiell me portretin e liderit nën sqetull, dhe pastaj u dëgjua brohoritma frenetike e turmave…
I lumtur u zgjova, dhe për pak që nuk fluturoja, se vetja më dukej si engjëll, kur befas kuptova se kisha qenë ëndërr dhe këtë fjalinë e apostrofuar e kisha lexuar në portale… Kur m’u kujtua realiteti, seç m’u kthye i tërë ai entuziazëm në plogështi, këmbët më dridheshin, e tërë ajo lumturi m’u shndërrua në pikëllim dhe, seç më ka shpërthyer vaji, një vajë i papërmbajtur, m’u duk se erdhi gruaja dhe përpiqej të më pajtonte, por më kot, pastaj e dëgjuan vajin tim fqinjët, lëshuan dhe ata të vinin të më pajtonin, dikur dhe ca miq i pashë duke hyrë në derë dhe mezi e mora veten e mu ndalën dënesjet…
Medet! – mendova me vete, – na u kanë bërë edhe ëndrrat politike! Pastaj, dola në ballkon dhe bërtita: rroftë lideri! U bëftë sipas fjalëve të tij!
6.2.2022 ~ HHB ~/marrë nga Fb/