Rritja e çmimeve në Kosovë, Osmani kërkon mbështetjen e BE-së
Presidentja Vjosa Osmani kërkoi sot që Bashkimi Evropian t’i ofrojë mbështetje Kosovës në ballafaqim me pasojat ekonomike që rezultuan me rritje çmimesh, pas fillimit të luftës në Ukrainë. Ajo këto komente i bëri gjatë një takimi me shefin e BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomash Szunyog, me të cilin bisedoi për situatën në Kosovë dhe rajon pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse kundër Ukrainës.Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e BE-së dhe theksoi se Serbia mbetet njëri nga shtetet e pakta evropiane që nuk e kanë harmonizuar politikën e tyre të jashtme me Bashkimin Evropian, gjë që rrezikon stabilitetin e gjithë rajonit.Ndërsa, ambasadori Szunyog shprehu falënderimin e Bashkimit Evropian për qëndrimin dhe veprimet e qarta të institucioneve të Kosovës në kundërshtim të agresionit rus dhe hapave të ndërmarra që janë në harmoni me veprimet e BE-së.