ÇMIMET PËRSHESH QEVERIA VESHËT NË LESH –Shkruan:Prof. Dr. Nexhat Çoçaj

                      Lufta në Ukrainë, Kosovën e ka gjetur me “biletë” të siguruar nga Qeveria Kurti 2, për shtrenjtimin e të gjithë artikujve elementarë, përfshi këtu edhe derivatet e naftës. Përkatësisht, ngritja e çmimeve në Kosovë ka nisur që në ditët e para të publikimit të Ligjit për paga, apo disa ditë pas dhënies së lejes nga qeveria për shtrenjtimin e rrymës. Aprovimi i shtrenjtimit të rrymës, ishte sinjal i shtrenjtimeve tjera, sepse të gjitha prodhimet varen nga rryma. Ndonëse rritje të çmimeve qytetarët e Kosovës janë përballur tash e një vit, përkatësisht prej marrjes së pushtetit të VV-së, e cila për secilën ditë po dëshmon se është qeveri e paaftë për ta qeverisur vendin dhe për të punuar në interes të qytetarëve. Të kujtojmë se çmimet për bujqësi janë dyfishuar gjatë vitit të kaluar, gjë që ndikoi shumë në zvogëlimin e interesimit të bujqve për të mbjellë dhe blegtorëve për t’u marrë me blegtori. Por, rritja e çmimit të rrymës, e zyrtarizojë rritjen e çmimeve në përgjithësi. Kështu brenda pak muajve çmimet e vajit ushqyes u rritën nga 0,89 € Euro në 1.59 €, ndërsa pas fillimit të luftës në Ukrahinë, çmimi u rrit në 3.5 €. Po kështu ka ndodhur edhe me dhjetëra çmime tjera. Lufta në Ukrainë ka ndikuar negativisht në gjithë Evropën, por gjithkund çmimet e artikujve themelorë janë nën kontrollin shtetëror, ndërsa në Kosovë në lidhje me çmimet asgjë nuk është nën kontroll. Në këtë mënyrë në gjithë Evropën janë në përputhje me pagat, ndërsa në Kosovë, përmes disa deklarata të pamatura të zyrtarëve po krijohet paqartësi dhe panikë e panevojshme. Panika, që po krijohet duke u nxitur nga papërgjegjësia e zyrtarëve institucional po krijon rritjen e çmimeve në mënyrë të pa kontrolluar. Në këtë mënyrë deklarimet e Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, pastaj ministrave të linjës, në vend që t’i inkurajojnë qytetarët, ata po krijojnë huti edhe më shumë dhe po dëshmojnë se në Kosovë nuk kemi institucione të përgjegjshme. Deklarimet e fundit të z. Kurtit nuk janë deklarime që ndikojnë në fitimin e besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit, por ndikojnë që qytetarët të revoltohen dhe të bien prehe e panikës dhe stërshitësve, që kanë lulëzuar në këtë qeveri. Deklarimet e z. Kurti, më shumë i ngjajnë emisioneve humoristike. Fundi – fundit ka të drejtë pse të mos bëjë humor me popullin, që e ka mashtruar me demoagogji. Gjuha e zyrtarëve të shtetit, këto ditët e fundit po ua shuan shpresat qytetarëve se do të mund të përballojnë krizën që ka kapluar gjithë Evropën. Vendimet që po merren në emër të subvencionimeve për bujqit dhe për ndërmarrësit, nuk po shihet si dritë në fund të tunelit, sepse çmimet kanë arritur në hemisferë dhe po e prekin shportën e secilës familje, secilës kategori. Menaxhimi i situatës nga ana e institucioneve të shtetit është nën çdo nivel dhe nëse vazhdohet në këtë mënyrë që të mos reflektojë qeveria, shumë shpejtë do të kemi protesta gjithë popullore, mbase edhe për faktin se kjo qeveri më së miri e njeh gjuhën e rrugës, me të cilën gjuhë ka ardhur në pushtet dhe tash po e lufton çdo zë që e kundërshton. Po bëhen 15 ditë nga fillimi i luftës në Ukrahinë dhe Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë hap, për të qenë në shërbim të qytetarëve, për t’i siguruar se do ta kenë shtetin e Kosovës të larë me gjak, në mbështetje të tyre. Sot nuk ka asnjë market, që i ka ruajtur çmimet e para kohës së shtrenjtimit të rrymës. Lirshëm lind pyetja se si do të mbijetojnë pensionistët, mësuesit, policët, infermierët, zyrtarët komunalë etj. Ku me pagat e tyre nuk mund t’i mbulojnë as dhjetë ditë të muajit. Çmimet e shportës familjare për dallim nga viti 2021 janë ngritur mesatarisht për 50 %, edhe pse ka artikuj që kjo ngritje ka tejkaluar këtë përqindje. Çmimet përshesh qeveria veshët në lesh. Nëse Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr ndonjë hap, për zbritjen e çmimeve të artikujve elementarë për të gjitha kategoritë, Kosova ka dy rrugë, ose të largohet nga vendi dhe të ikë në ndonjë vend ku shteti është i përgjegjshëm për qytetarët e vet, ose të ngrihet në këmbë dhe ta rrëzojë këtë qeveri të papërgjegjshme./qendrapress.com/