Kurti: Serbia e ka shantazhuar Brukselin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se brenda këtij viti vendi jonë do të aplikojë për t’u anëtarësuar në BE, derisa shtoi se do të ishte shumë e rëndësishme që Kosova të përfshihet si në Këshillin e Evropës, ashtu edhe në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.
Kurti për televizionin zviceran Blick, tha se vendi jonë iu ka bashkuar botës demokratike kundër agresionit rus në Ukrainë.Ai foli edhe për pasojat e luftës së Kosovës në vitin 1998 dhe 1999, duke thënë me gjithë spastrimin etnik, vrasjen e civilëve, masakrat e shumta dhe dhunimet, populli i Kosovës e vazhdoi luftën, luftë e cila u ndihmua edhe nga bombardimet e NATO-s, kundër regjimit të Millosheviqit. “Atë që shohim sot në Ukrainë, agresionin e një makinerie lufte kundër një populli, e kemi përjetuar 23 vjet më parë”, tha ai.Kurti ka komentuar edhe frikën që ekziston për luftëra në rajonin tonë, sidomos në Kosovë, duke thënë se kjo frikë buron nga dy faktor, i pari është Serbia e cila ka lidhje shumë të ngushta me Federatën Ruse. Për shembull në vitin 2013 në mes Serbisë dhe Rusisë ka pasur dy aktivitete të përbashkëta ushtarake, në 2016 ka pasur 50 aktivitete ushtarake, dhe vitin e kaluar 100 aktivitete të përbashkëta ushtarake. Ata kanë 14 MIG-29, të cilat i kanë marrë si donacion nga Bjellorusia dhe Federata Ruse.“Ne jemi bashkuar perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse në vitin 2014, kur u aneksuan Krimea dhe Donbasku, gjë që Serbia nuk e kishte bërë dhe as tani nuk e ka dënuar apo vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse”, tha Kurti.Faktori i dytë, sipas Kurtit është presidenti despotik Putin dëshiron të zgjedhor luftën edhe në vende tjera dhe, Ballkani Perendimor është vendi ku ai do të kërkojë të shkaktojë trazira të ndryshme nëpërmjet lidhjeve dhe personave që janë të lidhur me Serbinë.Ai shtoi se Kosova nuk është e frikësuar nga këta dy faktorë por jemi vend vigjilent.Sipas tij, Kosova e Serbia duhet të kenë njohje reciproke dhe se shteti serb duhet të ballafaqohet me të kaluarën.“Serbia e ka shantazhuar Brukselin në një kuptim që nëse nuk bëhet si themi ne, atëherë ne mund të shkojmë me Federatën Ruse dhe ndonjëherë edhe me Kinën. Sa për shembull Kosova nuk ka marrë asnjë vaksinë nga Rusia dhe Kina. Ndërsa, Serbia është çdoherë e lidhur me Rusinë”, tha ai.