E diela poetike me poetin;Sabit Rrustemi

NËN PLUHURIN E HARRESËS QË BIE

– varianti final –

Marr një pjesë mëngjesi në Çepur

një fluturim mëllenje në ikje

Marr dhe një aguliçe të posaçelur

e tërë pamjen që e shoh

nga kjo dritare e deri te ajo Plisore

në krye të Livadheve të Verdha

Dhe atë kupolë të mërrolur qielli

që më rri tutje syve lart e marr

e i nis kah Ti kudo që je

Ta keshë dhuratë prej meje

për një Ditë që posa u lind

syve të Tu e syve të mi

Shpendshkruara ime e dashur

që t’i jap falas përditë shikimet e mia

si t’i bashkëngjitem flurutirmit tënd

e ta zë atë hap në ardhje

atë hap që i la në pritje

dhe udhët

orët …

E trembshmja ime e bukur

që më dridhë e grishë parreshtur

si s’të lodhën ditët në ikje

e pakthyeshmja kohë

ajo ëndërr që s’u zu…

Supeve të mia

të pushoje një trohë

desha

shpirtëvockëla ime

e ta ndieje aromën time prej njeriu

atë puls zemre që për Ty rrah ende

… se nesër

nesër kur s’di kah do të endesh

hiri i këtij Mali

djegur nën diell

e i qullur nën shi e borë

do të pyes

ku e le

ku e fshehe gjithë atë dashuri

Ktheje kokën nga pafundësia

që shtrihet sipër nesh

ofshamën e qiejve dëgjoje

se si na përplaset brinjëve

Nën pluhurin e harresës që bie

çdo gjë zverdhet

pos kësaj dashurie

( 9 Mars 2021 – 9 mars 2022 )